Sunday, January 11, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVIDEO/ Sinani inkurajon Vllazninë: Askush nuk del kampion në dhjetor. Flitet për...

VIDEO/ Sinani inkurajon Vllazninë: Askush nuk del kampion në dhjetor. Flitet për probleme e kriza, por nuk ka asgjë

Ashtu si kapiteni Balaj, edhe drejtori sportiv Vioresin Sinani ka kërkuar mbështetje nga shkodranët, që Vllaznia ta kalojë momentin e vështirë. Ai ka theksuar në konferencë shtypi se është vetëm një moment “jo”, që e kalon çdo skuadër gjatë një kampionati. Mes të tjerash, ish-sulmuesi i shquar i Vllaznisë u shpreh:

“Nuk besoj së ka ndonjë problem. Skuadra ka nevojë për mbështetjen e gjithsecilit, sidomos shkodranëve. Nuk ka nevojë të bëhet alarm për krizë, alarme të rreme. Besoj se përveç një periudhe 4-5 javësh jo të mira, kemi një ekip shumë të mirë. Fundi i fundit, asnjë ekip nuk del kampion në dhjetor.

Flitet për probleme, flitet për kriza, por reale nuk është asnjë. Asnjë nuk ka lakuar probleme krize, kur kemi qenë në vend të parë. Marrim 2-3 rezultate negative e fillojnë e dalin probleme që nuk janë. Dua që skuadra të qëndrojë e qetë, të punojë, ta mbyllë vitin me fitore dhe të jemi të kënaqur.

Analiza e gjithsecilit do të bëhet pasi të mbarojë ndeshja e fundit, do të ulemi bashkë me trajnerin, me lojtarët, do të diskutojmë me presidentin çfarë është bërë mirë, çfarë nuk është bërë mirë. Ka vend për t’u korrigjuar, por ky është vetëm një moment “jo”, besoj që me fitoren e nesërme të jemi ndër ekipet që do të luftojnë për trofetë e sezonit.

Kjo është skuadra, për të cilën të gjithë kanë folur me superlativa. Me 3-4 javë luhatje filluan fjalët, filluan shumë gjëra, që nuk janë reale. Kjo Vllazni mund të kalojë të gjitha skuadrat, por gjithmonë duam qetësi, mbështetje dhe përkrahje, sidomos prej shkodranëve.

Skuadra nuk besoj se ka trysni. Këta janë djem të fortë, me eksperiencë, që e dinë që futbolli ka luhatje. Këto luhatje që po kalojmë ne, jam i bindur që do t’i kalojnë të gjitha ekipet. Asnjë skuadër nuk shkon përpjetë me 36 javë kampionat, se i bie tavanit dhe thyen kokën, si i thonë. Gjithmonë do të ketë luhatje, por duhet të jenë luhatje sa më të buta. Jam i bindur se Vllaznia do të luftojë për trofetë e sezonit deri në fund.

Asnjë trepikësh nuk është i lehtë. Është luftë për çdo pikë nga çdo ekip. Flamurtari ka një ekip që ndoshta nuk është mirë në renditje, por ka superlojtarë. Pavarësisht se renditja flet ndryshe, e dimë që do të kemi një ndeshje mjaft të fortë. Shpresojmë në fund të fitojë Vllaznia.

Futbolli është luftë. Për anën taktike e teknike të lojës mund të flisni me trajnerin. Dua nga skuadra maksimumin në fushë. Kur të japim më të mirën dhe ata që janë kthyer nga dëmtimet të kapin formën e tyre, besoj se do jemi ekip shumë solid. Mungesat? Dros është i dëmtuar prej më shumë se dy muajsh, Hakaj ka probleme. Pjesa tjetër janë të gatshëm të gjithë.

Vllaznia do të jetë gjithmonë aty, në luftë me skuadrat e kreut, pretendente për të fituar trofe. Do ta shohim në fund dhe vazhdoj ta theksoj se në dhjetor asnjë nuk e fiton kampionatin”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments