Thomas Strakosha ka ndihmuar Lacion që të kalojë në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, duke eliminuar një prej skuadrave favorite, Interin, në fushë e kësaj të fundit. Pas eliminimit të Napolit, Romës e Juventusit, ka rënë kësisoj edhe pretendentja e katërt më e fortë për të siguruar trofeun e dytë për nga rëndësia në Itali dhe protagonist ishte portieri shqiptar.

Strakosha u desh të bënte një mrekulli në fundin e pjesës së dytë të ndeshjes ndaj Politanos për të çuar në shtesa skuadrën e tij pas barazimit 0-0. Në pjesën e parë shtesë, Imobile gjeti rrjetën për Lacion, por një penallti në minutën e dytë shtesë, e realizuar nga Ikardi, vendosu baraspeshën dhe që kualifikimi në finale do të caktohej nga gjuajtjet nga pika e bardhë.

Portieri shqiptar u bë protagonist duke pritur gjuajtjen e Lautaro Martinez dhe të Naingolan, duke bërë të mundur që ekipi i tij të kalonte më tej, pasi në radhët e Lacios nga pika e bardhë gaboi vetëm Durmishi.

Kësisoj, Lacio siguroi një tjetër gjysmëfinale në turneun të cilin shpeshherë e ka kthyer në objektiv kryesor sezonal, duke shpresuar që të bëjë një tjetër paraqitje bindëse në gjysmëfinalet ku e pret Milani. /vipsport/