Tërbuni ka gabuar rëndë në shtëpi duke mos arritur dot të fitojë ndaj Gramshit. Barazimi ndaj kësaj skuadre dhe dy pikët e lëna në këtë përballje mund t’i kushtojnë rëndë pukjanëve në garën e tyre për të siguruar një vend në zonën play- off.
Takimi në mes këtyre dy skuadrave është luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Në minutën e 40-të të ndeshjes, pas një goditje këndi, do të ishte shtatëlarti Karaj që me një goditje të saktë me kokë do ta dërgonte topin në rrjetën e portës gramshiote.
Pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej me avantazhin 1-0 në favor të Tërbunit. Në pjesën e dytë vendasit patën edhe disa mundësi të tjera shënimi, por lojtarët e tyre shpërdoruan disa mundësi dhe kur u duk se ndeshja do të mbyllej me këtë gol, do të ndodhte e papritura.
Pas një goditje dënimi nga a majta e sulmit mik, topi shkon në zonë dhe aty Lamçe gjuan saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë. Është minuta e 94-të dhe nuk ka më kohë për asgjë. Gjithçka mbyllet në barazim 1-1 dhe dy ekipet ndajnë nga një pikë.
Tërbuni tashmë ka 14 pikë dhe mban vendin e shtatë të renditjes, ndërsa Gramshi me barazimin e sotëm ka shkuar në kuotën e 10 pikëve dhe ndodhet i pozicionuar në vendin e nëntë të renditjes.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


