Vllaznia “B” ka marrë edhe fitoren e dytë në kampionat, duke treguar edhe njëherë tjetër se ka synime shumë ambicioze në kampionatin e kategorisë së tretë ku ajo po merr pjesë këtë sezon. Pasditen e sotme ajo ka triumfuar me rezultatin 4-1 ndaj ekipit kryeqytetas “Young Boy”.
Takimi është luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe është dominuar nga futbollistët kuqeblu të drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi. Ata kanë kaluar të parët në avantazh që në minutën e tretë kur Gilman Agraja e ka dërguar topin në rrjetën e portës kundërshtare.
Ndërkohë në minutën e 36-të ekipi shkodran ka shënuar edhe golin e dytë, këtë herë me anë të futbollistit Bilal. Pak para fundit të pjesës së parë miqtë do të mundoheshin të hapnin ndeshjen teksa kanë shënuar gol me anë të Zisit dhe në këtë mënyrë ky 45 minutësh është mbyllur me shifrat 2-1 në favor të Vllaznia “B”.
Pjesa e dytë do të fliste tërësisht për kuqeblutë dhe protagonisti kryesor është sulmuesi Klajti Halili i futur në lojë në fundin e pjesës së parë. Sulmuesi 20 vjeçar do të shënonte dy gola njëri pas tjetrit duke kompletuar në këtë mënyrë fitorene e skuadrës së tij në shifrat 4-1.
Kësisoj pas fitores 7-0 në ndeshjen e parë ndaj Klosit, Vllaznia “B” merr edhe fitoren e dytë në kampionat duke treguar menjëherë pretendimet e saj serioze në këtë kampionat ku padyshim që do të kërkojë vendin e parë dhe ngjitjen një kategori më lart.(www.shkodrasport.com)







