Vinicius Zhunior ishte njeriu i ndeshjes në finalen e Superkupës së Spanjës. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Braziliani shënoi tre gola në 39 minutat e para, duke udhëhequr Realin në suksesin 4-1 në Superkupë dhe trofeun e 13-të në historinë e këtij klubi. Ai ka folur për mediat në konferencën për shtyp, duke treguar disa nga emocionet e tij.

RIKTHIMI NGA DËMTIMI –

“Kam falënderuar fizioterapistin tim, stafin, shokët e skuadrës, sepse ata gjithmonë më kanë dhënë besimin për të arritur këtu”.

REALI PËR ÇDO TROFE –

“Është herët për të folur, jemi ende në janar dhe ka shumë kohë për t’u përmirësuar dhe për të vazhduar t’i bëjmë gjërat mirë. Ne duam të vazhdojmë në këtë linjë, por është e vërtetë që kemi humbur vetëm një ndeshje këtë sezon dhe duam të jemi favoritë”.

HALAND E MBAPE NË MADRID –

“Nuk jam unë personi i duhur për të folur për merkaton. Duhet të flisni me presidentin. Nuk mund ta them këtë. Jam i lumtur që jam këtu dhe kemi 25 lojtarë të gatshëm për të sakrifikuar në çdo ndeshje”.

PROVOKIMET DHE SHERRET –

“Të gjithë duan të më godasin, sepse e dinë që më pas do të dalin në shtyp. Është e vërtetë që as unë nuk jam shenjtor, ndonjëherë flas shumë si edhe bëj driblime që nuk duhet t’i bëj, por jam këtu për të mësuar dhe unë mësoj çdo ditë”.

DËMTIMET –

“Bëj gjithçka që është e mundur për të shmangur dëmtimet. Punoj shumë dhe përpiqem të ushqehem sa më shëndetshëm edhe të ndjek shembullin e të gjithë lojtarëve të këtij klubi, por ndonjëherë nuk është e mundur të qëndroj pa dëmtuar”.

KËSHILLAT E ANÇELOTIT –

“Trajneri është aty për të na mësuar gjithçka duhet. Mendoj se ndonjëherë ne e teprojmë paksa, por nuk mund të rri pa bërë magjinë që kam mësuar në Brazil. Po marr më shumë përvojë në lojë për të bërë të duhurën. Ndonjëherë dua të bëj gjithçka për ekipin dhe përfundoj duke zemëruar të tjerët, veten dhe shokët e mi. Dua të përmirësohem”.