Tirana-Vllaznia është derbi i Shqipërisë, edhe pse te Partizani kanë mendim tjetër”. Kështu e nis bisedën Vioresin Sinani, legjenda e sulmit shkodran, që ka thyer rekordin e golave në kampionatin shqiptar.

Në prag të “Klasikes”, që do të luhet sot në orën 19:45 në stadiumin “Air Albania”, ishbomberi flet ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke analizuar si vijnë skuadrat në këtë përballje, por jo vetëm. Pavarësisht faktit që Tirana ka 8 pikë më tepër se Vllaznia, Sinani mendon se kuqeblutë kanë shanse të përmbysin këtë diferencë.


Vioresin, si e keni parë këtë periudhë merkatoje, ku skuadrat kanë nisur të lëvizin, qoftë në hyrje dhe dalje. A ka diçka që ju bën përshtypje?

Natyrshëm këto janë gjëra të pritshme për çdo ekip, qoftë programimi i punës në këtë periudhë, ashtu edhe lëvizjet në merkato. Është një situatë delikate, sepse janari në përgjithësi nuk të ofron lojtarë cilësorë, përjashto ndonjë rast.

Lojtarët e mirë janë të gjithë me kontrata në klubet e tyre dhe është e vështirë t’i lëshojnë. Sigurisht ka edhe raste kur ndonjë futbollisti i ka mbaruar kontrata, por në tërësi kjo është një periudhë e vështirë për të bërë afrime cilësore.

Vllaznia mori dy barazime radhazi ndaj Dinamos dhe Kukësit në fund të vitit 2021 dhe u distancua disi nga grupi i ekipeve të kreut.

Si ju është dukur skuadra shkodrane, çfarë mund të bënte më mirë?

E kam ndjekur ekipin dhe për mua barazimi me Kukësin erdhi përmes një loje shumë të mirë. Pavarësisht keqardhjes për rezultatin, mua më kënaq fakti që Vllaznia luan mirë futboll dhe atë takim i kishte të gjitha mundësitë të fitonte. Nuk duhet të harrojmë se Kukësi është rival i fortë.

A mund të themi se skuadra e këtij sezoni, duke e krahasuar me kampionatin e kaluar, pëson lehtësisht gola?

Ne në Shkodër themi që “ndeshja ndeshjes nuk i ngjan”. Nuk mund të them që këtë vit Vllaznia pëson lehtësisht, sepse për mua ka ekip shumë solid, që do të pretendojë deri në fund për titullin kampion. E shoh minimimalisht në Europë, por pse jo për të fituar kampionatin. Edhe Tirana që është sot në krye me tetë pikë më tepër, nuk mendoj se ka skuadër më të mirë se Vllaznia.


Kur përmendet ndeshja Tirana-Vllaznia, protagonizmi juaj në fushë ka qenë i madh për të dyja skuadrat ndër vite. Çfarë kujtoni nga ky derbi?

Ka gjithmonë një ndeshje me shumë emocione për mua. Historikisht ka qenë spektakël në fushë, pasi shënoheshin shumë gola.

Stadiumin e mbaj mend gjithnjë plot dhe kemi rivalizuar në shumicën e kohës për kreun. Vllaznia është vetë jeta ime dhe gjithçka për mua, por nuk mund të mohoj që kam kaluar një sezon të mrekullueshëm si pjesë e Tiranës. Jam ndier mjaft mirë edhe te bardheblutë.