Pas humbjes me Teutën, Skënderbeu është tërësisht i përqendruar te ndeshja e radhës në kampionat. Tashmë korçarët do të luajnë përballë Vllaznisë, në një takim i cili do të jetë po kaq i rëndësishëm për arritjen e objektivit për të dyja ekipet. Për mbrojtësin kosovar të Skënderbeut, Leonat Vitija, e rëndësishme tani është që përqendrimi të jetë maksimal.

Ai bën thirrje që të lihet pas humbja ndaj Teutës dhe gjithçka të jetë e përqendruar te ndeshja kundër shkodranëve në “Loro Boriçi”. Vitija mendon se Skënderbeu i ka të gjitha shanset që të bëjë surprizën në Shkodër duke konfirmuar periudhën e mirë që është duke kaluar ekipi. “Vijmë në një fazë të rëndësishme të kampionatit dhe mund të them se po kalojmë edhe ne moment të mirë. Humbja me Teutën besoj se nuk do të ndikojë në paraqitjet tona në ndeshjet e radhës.

Gjithsesi është një humbje e cila, për mendimin tim, ishte krejtësisht e pamerituar. Për nga ajo që ekipet treguan në fushë, besoj se ka qenë thjesht rastësi ajo humbje pasi rezultati më i drejtë do të ishte barazimi.

Sigurisht që na vjen keq, pasi mund të kishim shkurtuar diferencën me ekipet që janë para nesh dhe do të ishte diçka e rëndësishme, por tani nuk kemi kohë të mendojmë për një ndeshje që ka ikur. Nga sot (dje) kemi filluar përgatitjet për takimin e radhës që do të luhet ndaj Vllaznisë.

E dimë që si me Teutën na pret një ndeshje e vështirë edhe me shkodranët. Janë dy ekipe që luajmë për objektiva të ndryshëm dhe si të tillë duhet që të jemi të vetëdijshëm se do të jetë takim i vështirë. Besoj se jemi duke kaluar momentin më të mirë të kampionatit, pikërisht në këto ndeshjet e fundit ku kemi treguar qëndrueshmëri.

Këtë gjë duhet ta bëjmë sërish edhe në takimet që na kanë mbetur. Të jemi të saktë dhe të përqendruar në të dyja fazat e lojës. Nëse luajmë siç dimë dhe japim maksimumin, besoj se mund t’ia dalim të marrim pikë në Shkodër”, deklaroi Leonat Vitija.

MBIJETESA – Për kosovarin, do të jetë e sigurt që Skënderbeu nuk është ekipi që bie nga kategoria. “Nuk do të biem nga kategoria dhe për këtë të jeni të bindur.

Nëse bëjmë më të mirën në ndeshjet e mbetura, ia dalim që të sigurojmë mbijetesën. Tashmë diferenca është jo e madhe dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjet direkte të ekipeve që luftojnë për mbijetesë. Ne duhet të bëjmë mirë duke filluar nga Vllaznia dhe më pas të marrim gjithçka me radhë”, deklaroi qendërmbrojtësi.