Ende nuk i ka mbushur 18 vjeç, por Sarah Beci çdo ditë e më shumë dëshiron të shfaqet si protagoniste me ekipin e volejbollit të Vllaznisë. Luan në rolin e pasueses dhe pas një viti ndërprerje të kampionatit, mezi pret të rikthehet sërish në fushën e lojës bashkë me shoqet e saj të ekipit të Vllaznisë.

Sarah ndërkohë ka pranuar me kënaqësi të intervistohet nga “Shkodra Sport” duke folur në këtë mënyrë për pasionin e saj të madh- volejbollin, por edhe ëndrrat e saj. Intervistë të cilën mund ta ndiqni më poshtë:

– Sarah, si ka lindur dhe është zhvilluar ky pasion për këtë lloj sporti tek ju?

– Pasioni për volejbollin ka nisur që në moshë të vogël. Duke qenë se e gjithë familja ime është adhuruese dhe pjesë e botës së sportit, më shtynë akoma më shumë drejtë kësaj dëshire. Jo vetëm familja por edhe aktivitetet shkollore gjithashtu, bënë që kjo deshirë për volejbollin të rritej çdo ditë e më shumë.

– Plot një vit nga ndërprerja e kampionatit të volejbollit për shkak të pandemisë, çfarë ju mungon më së shumti?

-Jo vetëm për sportistat por për të gjithë botën ka qenë një periudhë e vështirë për shkak të pandemisë. Për mua,pjesa më e veshtirë gjatë kësaj periudhe ka qenë mungesa e aktiviteteve sportive, por jo vetëm. Më mungon gara, emocionet e cdo ndeshjeje, gjithashtu edhe grumbullimi me pjesëtaret e tjera të ekipit.

– A stërviteni rregullisht dhe si janë marrëdhëniet tuaja me stafin dhe pjesën tjetër të skuadrës?

– Stërvitja ka vazhduar rregullisht edhe në mungesë të kampionatit. Stërvitemi cdo ditë intensivisht që të jemi në formë sa më të mirë në rast kthimi në fushën e lojës. Për të folur pastaj për marrëdhëniet e mia me stafin drejtues dhe vajzat e ekipit, harmonia dhe serioziteti janë shumë të rëndësishme për një grup dhe ne këtë e kemi ndërtuar mjaft mirë mbi bazën e respektit reciprok.

– Në moshën 15 vjeçare keni pasur ftesën e parë nga kombëtarja për mosha,si e keni përjetuar dhe mendoni se do jeni sërish pjesë e saj?

-Emocionet e përjetuara në momentin e marrjes së ftesës së kombëtares, ishin tepër të veçanta. U ndjeva krenare për veten që në një moshë të vogël,isha një ndër përfaqësueset e vendit tim.Ajo eksperiencë më ka ndihmuar në rritjen time profesionale dhe me shumë punë dhe përkushtim, do ia arrij të jem sërish pjesë e kombëtares,e pse jo të jap rezultate sa më të mira.

– Keni një idhull dhe nëse po cili/cila është?

-Idhulli im është kapitenia e kombëtares Shqiptare, Era Bici. Një shembull për tu ndjekur, një volejbolliste e talentuar e cila ka korrur suksese të njëpasnjëshme ndër vite në Shqipëri si dhe jasht vendit.Shpresoj që një ditë të ndjek hapat e saj dhe jo vetëm.
Intervistoi: Fabiola CAKA