Laçi e mposhti për herë të dytë në këtë sezon Vllazninë, duke i mposhtur shkodranët në “Loro Boriçi” dhe duke rihapur kështu edhe njëherë kampionatin.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve në fundin e ndeshjes, ishte portieri shkodran i Laçit, Alen Sherri. Ky i fundit pasi u mbyll ndeshja ka shpërthyer në lot, ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës, që në ato momente ishte në festë.

Madje trajneri Duro u shpreh se portieri pas ndeshjes i kërkoi falje, duke thënë: “Aleni ishte i mërzitur, erdhi më tha profesor më fal. Fati që fituam dhe kalon. Ka qenë i tensionuar, sepse luante në Shkodër dhe është presioni.”, tha Duro.

Ndërkohë në dhomat e zhveshjes, futbollistët e Laçit kanë festuar me të madhe, teksa aty ka shkuar edhe presidenti Laska, i cili ka komplimentuar futbollistët për këtë fitore shumë të rëndësishme.