Vetëm 13 vjeç, por që tani i ka bindur të gjithë. Roko Vata mund të bëhet shumë shpejt një prej yjeve të futbollit europian dhe nuk është aspak rastësi që klubi i Sëlltik ka lidhur marrëveshje afatgjatë pak ditë më parë me të birin e ish-kapitenit kuqezi, Rudi Vata.

Por talenti i djaloshit nuk ka tërhequr vetëm vëmendjen e klubeve, por edhe kombëtareve, me një ftesë që ka mbërritur në familjen Vata për të veshur një fanellë e cila fatkeqësisht nuk është ajo kuqezi.

Vatës i ka mbërritur ditët e fundit ftesa për të përfaqësuar Irlandën në arenën ndërkombëtare, me kombëtaren U15 të saj që e ka bërë pjesë të planit për takimet miqësore që ka planifikuara për në muajin nëntor.

VipSport ka siguruar ftesën që i ka mbërritur djaloshit të talentuar nga Irlanda, e cila do ta ketë për 5 ditë nën vëzhgim futbollistin, të cilin pritet ta aktivizojë në dy takimet ndaj Polonisë që luhen më datë 19 dhe 21 nëntor.

Sigurisht bëhet fjalë për një prej kombëtareve të moshave që nuk luajnë ndeshje zyrtare dhe zgjedhja e Roko Vatës për të luajtur apo jo me të nuk do të ndikojë në veshjen e fanellës kuqezi në të ardhmen.

Por shqetësues duhet të jetë fakti se si vendet e tjera afrojnë me shpejtësi talente që në moshë të vogël, ndërsa FSHF rri duarkryq, aq më tepër në rastin në fjalë kur lidhja e djaloshit duhej të ishte shumëfish më e ngushtë me fanellën kuqezi. /vipsport/