Ka zgjatur vetëm 50 minuta ndeshja mes Vitoria dhe Bahia mbrëmjen e sotme. Një ndeshje derbi e qytetit të Bahias.

Në minutën e 50 është akorduar 11-metërsh për skuadrën udhëtuese, në këtë rast Bahia, që është kthyer në gol nga Vinicius, duke barazuar rezultatin në 1-1.

Por, me sa duket vendësit e Vitoria-s nuk i kanë përmbajtur dot nervat dhe çdo gjë ka degjeneruar në dhunë masive.

Ishte pikërisht portieri i Vitoria-s, i cili u konfliktua fillimisht me sulmuesin Vinicius dhe më pas çdo gjë doli jashtë kontrollit.

Nuk munguan shkelmat dhe grushtat, tamam si në një arenë boksi.

Por, pasi u qetësua situata me ndërhyrjen e forcave të sigurisë, arbitri akordoi 5 kartonë të kuq për lojtarët e Vitoria-s dhe 2 për ata të Bahia-s, duke mbyllur kështu takimin para kohe.

Në bazë të rregullores së futbollit, një ndeshje nuk mund të zhvillohet nëse një ekip ka më pak se 7 lojtarë në fushë.

Dihet që në derbi ka gjithnjë trazira, sidomos në ndeshje vendimtare, por ky takim për të dy ekipet nuk ndryshonte asgjë si në rast barazimi apo fitore të njërës palë. /EDS/