Trajneri i kombëtares, Edi Reja, mund të ftojë talentin e ri të Chelsea, Armando Broja, në miqësoret e këtij muaji. Sulmuesi 18-vjeçar me origjine nga Malesia e Madhe, po shkëlqen me Blutë e Londrës.
Për momentin e ka të pamundur të udhëtojë. Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, është një “i burgosur” në Veneto të Italisë për shkak të epidemisë së koronavirusit, por gjithsesi ai beson se do të jetë i gatshëm për miqësoret e marsit, ndërsa ka edhe disa plane.
Pavarësisht se nuk pati mundësi të ishte i pranishëm në shortin e edicionit të ri të Nations League, me flurimet ajrore të ndaluara, burime në Federatën Shqiptare të Futbollit informojnë se italiani nuk e ka humbur kontaktin me realitetin e kombëtares.
Me gjasë, ai do të ftojë në ekip talentin e Chelsea, Armando Brojën, dhe kjo për ta provuar në miqësoret e 27 marsit ndaj San Marinos dhe të 30 marsit kundër Sllovenisë. Broja po dallohet gjithnjë e më shumë te londinezët, duke luajtur për ekipin U23, ndërsa është vetëm 18 vjeç.
Jo më kot, trajneri i ekipit të parë, Frank Lampard, i ka dhënë kontratën si profesionist. Besohet se Reja dëshiron jo vetëm ta provojë Brojën, por edhe ta lidhë me Shqipërinë, sepse aktivizimi do ta bënte të pamundur që ai të kalonte në ndonjë kombëtare tjetër./abcnews/