Një tjetër yll në stemë e në fanellë për Bajernin e Mynihut, pasi ky është vërtet një klub me 5 yje, ndonëse sivjet nuk e meritonte që të dilte nga Champions-i me aq shumë pengje, ndërsa gabimin e vetëm e bëri në Kupën e Gjermanisë, ku u eliminua në mënyrë flagrante nga modestët e Holsten Kielit.

Gjithsesi, për bavarezët, e shtuna ishte një tjetër ditë festë, teksa shkatërruan Borusia Mynshengladbah me shifrat 6-0 (tripletë e Levandovskit), ndonëse adrenalina në trupat e 31 herë kampionëve të Gjermanisë ishte ngritur në maksimum, pasi ata kishin mësuar për humbjen e Lajpcigut 3-2 në Dormtund dhe ishin shpallur fitues ende pa zbritur në fushë.

SHIFRAT – Për Bajernin ky ishte titulli numër 31 në histori, i 30-ti që kur u themelua Bundesliga, arritje kjo që u lejon bavarezëve të qepin edhe yllin e pestë në uniformë. Dhe kurioziteti është se ata kanë fituar vetëm 1 nga 15 titujt e fundit në stadiumin e tyre. Sprinti i klubit nga Mynihu ka qenë i frikshëm në 3 dekadat e fundit, duke qenë se nga viti 1995 e deri më sot, pasi në 26 vitet e fundit, në 23 prej tyre bavarezët e kanë mbyllur kampionatin mes vendit të parë ose të dytë.

Merkatoja e fundit e verës nuk ishte shumë e lumtur, si rrjedhojë e pandemisë, ku mes blerjeve të reja vetëm Leroi Sane ka lënë gjurmën e tij, pasi Duglas Kosta nuk ka bërë asgjë përveç se të shëtisë fanellën e tij, në momentet kur i është dhënë mundësia. Ky trofe është mbi të gjitha i Tomas Mylerit e David Alabës, pasi për të dy ishte titulli i dhjetë në Bavari. Ata kaluan kështu rekordmenin Frenk Riberi në kuotën 9 (po kaq edhe Manuel Nojer).

LEVANDOVSKI

Ndërkohë, 5 lojtarët që kanë qenë protagonistë në 9 titujt e fundit radhazi janë Alaba, Boateng, Martinez, Myler e Nojer. Dhe duke mbetur te këto emra, nëse dy të fundit pritet të rinovojnë kontratat e tyre, tri të parët (që të gjithë në skadencë kontrate) pritet të përshëndesin Bajernin në fund të sezonit, me një thes prej 70 trofesh me ngjyrat e kësaj skuadre së bashku.

YJET E EKIPIT – Ky i kurorëzuar të shtunën është mbi të gjitha titulli i repartit sulmues. Teksa mbrojtja nuk ka qenë në cilësinë e duhur, pas lejimit të 40 golave, kanë qenë 92 golat e realizuar në 32 ndeshje ato që kanë bërë diferencën, duke nisur nga fitorja 8-0 ndaj Shalkes në javën e parë e deri te 6-0 që vuajti së fundmi Gladbahu. Levandovski, me 39 gola sheh më se të mundshëm thyerjen e rekordit të Gerd Mylerit (40 realizime në sezonin 1972-1973), për të cilin ka dy ndeshje të tjera në dispozicion.

Por, përveç polakut, siguritë e këtij Bajerni quhen Tomas Myler (goleadori i dytë më i mirë i skuadrës me 10 gola), por edhe Gnabri, Kimish e Gorencka që janë shtylla kurrizore e ekipit, pa harruar “saraçineskën” Nojer. Mirëpo, mes rekordeve që tentohen një rekordmen absolut është Kingslej Koman, i cili ndonëse 29 vjeç ka fituar 9 tituj kampion radhazi, mes PSG-së në Francë, Juventusit në Itali dhe 6 radhazi në Bavari. Shkurt, ky ekip e ka në gjak objektivin për të grumbulluar trofe…