Te Vllaznia nuk duan të humbin kohë sa u përket lëvizjeve në hyrje dhe dalje të merkatos verore. Kështu, duke qenë se shumë futbollistë janë në skadencë kontrate, së fundmi drejtuesit e klubit shkodran kanë nisur bisedimet me ata që kërkojnë të mbajnë në skuadër për të paktën edhe një sezon.
Ashtu siç “Shkodra Sport” e paralajmëroi pak ditë më parë, mësohet se portieri malazez, Bojan Zogoviç, ka marrë tashmë një ofertë zyrtare për të zgjatur kontratën.
Burime në klub tregojnë se drejtori sportiv, Elvis Plori, ka biseduar me portierin dhe i ka bërë ofertën për kontratën e re, e cila pritet të jetë me terma të përmirësuar financiarë.
Palët janë drejt mbylljes së marrëveshjes edhe për një sezon tjetër dhe kjo tregon për besimin që portieri Zogoviç dhe klubi i Vllaznisë kanë ndaj njëri-tjetrit. Ai ka pranuar në parim kushtet e ofruara dhe gjasat janë që ditën e sotme, portieri të paraqitet në Shkodër dhe të firmosë edhe zyrtarisht kontratën e re.
Kujtojmë këtu se, ky do të jetë sezoni i katërt që Zogoviç është pjesë e Vllaznisë. Në klubin kuqeblu janë të bindur se pavarësisht sezonit jo të mirë të skuadrës, reparti i portës nuk duhet të ndryshohet, pasi krahas Zogoviçit, i gatshëm për një fanellë titullari është edhe i riu shkodran, Kristi Qarri, i cili sa herë është aktivizuar ka bërë mirë në takimet e Kupës së Shqipërisë.
Maringlen ZHIVANI