Fitorja në Peshkopi ka gëzuar të gjithë në kampin shkodran dhe tashmë gjërat po bëhen edhe më të lehta për arritjen e objektivit që Vllaznia ka, ngjitjen në Superligë. Tashmë kuqeblutë favorizohen edhe nga kalendari I ndeshjeve të dy javëve të ardhshme. Ato do të presin në Shkodër fillimisht Dinamon këtë javë dhe më pas edhe Besëlidhjen.

Fitoret ndaj këtyre dy kundërshtarëve, do ia bënin edhe më të lehtë rrugën atyre për arritjen e objektivit. Futbollistët dhe stafi teknik duan ta heqin sa më parë këtë barrë nga shpina e tyre dhe sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë edhe për drejtuesit e klubit që do të mendojnë pastaj më të qetë për sezonin e ardhshëm në Superligë.

Megjithatë fokusi për momentin është përqendruar tashmë tek sfida e së shtunës me Dinamon. Edhe kjo ndeshje do të luhet në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe një lajm I mirë për stafin teknik është se kontigjenti I lojtarëve në dispozicion të tyre do të jetë më I plotë.

Kështu me shumë të ngjarë kapiteni Lika por edhe Ignat e Hajdari mund t’I lënë pas problemet shëndetësore që kanë patur dhe do jenë të gatshëm për të luajtur. Në pamje të parë vërtetë duket se Dinamo nuk ka më pretendime në kampionat, por nuk do jetë kështu.

Përballja e saj me Vllazninë është edhe një ndeshje prestigji e dy emrave të shquar të futbollit shqiptar dhe nëse blutë kanë dështuar në dy përballjet e mëparshme me kuqeblutë, në këtë të fundit do të tentojnë qoftë edhe një barazim. Shkodranët e dinë mjaft mirë këtë gjë dhe prandaj po e përgatisin ashtu si duhet sfidën e së shtunës.
© shkodrasport.com