Kampionati i kategorisë së tretë po hyn në fazën më të rëndësishme të tij brenda një apo dy javësh me shumë mundësi do të përcaktohet edhe skuadra që do të ngjitet një kategori më lart. Me shumë gjasa, ajo do të jetë Vllaznia “B”. Ecuria e saj deri më tani ka qenë shumë e mirë teksa i ka fituar të gjitha ndeshjet, me përjashtim të asaj ndaj Dinamo “B” në të cilin pëson golin e barazimit në minutat shtesë duke i ikur një tjetër fitore nga duart.
Kundërshtari i saj kryesor në këtë kampionat është pikërisht Dinamo “B” e cila deri javën që shkoi kishte të njëjtën ecuri me kuqeblutë, por në ndeshjen e fundit ka gabuar duke barazuar në shtëpi 2-2 ndaj Bulqizës. Madje, pritet ta humbasë në tavolinë këtë takim sepse stafi i saj ka bërë një gabim gjatë ndeshjes.
Siç mund ta shikoni edhe më poshtë, Dinamo “B” ka bërë 5 zëvendësime në këtë ndeshje, në 4 ndalesa teksa rregullorja e thotë qartë se duhen bërë vetëm 3. Por dinamovitët kanë gabuar duke i bërë zëvendësimet në minutat 44, 57 (2), 76 dhe 83.

Drejtuesit e ekipit të Bulqizës mësohet se e kanë reklamuar një gjë të tillë dhe si rrjedhojë tashmë do të jetë Komisioni i Disiplinës që do të vendosë, por faktet janë të pakundërshtueshme dhe si rrjedhojë Dinamo “B” do ta humbasë ndeshjen në tavolinë. Dinamovitët në fakt shpëtuan pak javë më parë nga një tjetër gabim që kishin bërë në barazimin me ekipin e Klosit, por tërheqja e këtij të fundit nga kampionati, ka bërë që ndeshjet e tij të fshihen sipas rregullores dhe kjo e favorizoi kundërshtarin e kuqebluve.
Padyshim që një gjë e tillë favorizon Vllazninë “B” e cila tashmë ecën e sigurtë drejt titullit kampion të kësaj kategorie. Dhe në fakt e meriton sepse trajneri Bizi ka ndërtuar vërtetë një ekip cilësor.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


