Vllaznia “B” ka marrë një tjetër fitore në kampionat dhe si rrjedhojë vijon të kryesojë e vetme renditjen e kampionatit. Në kuadrin e ndeshjeve të javës së 10-të, kuqeblutë e drejtuar nga Brikeno Bizi kanë fituar 4-2 në kryeqytet ndaj ekipit “Beksat”.
Duhet thënë se ata e nisën mirë ndeshjen dhe si rrjedhojë në minutën e 56-të, Vllaznia “B” udhëhiqte me rezultatin 3-0 pas golave të shënuar nga Enes Papaj, Lopez Correa dhe Klajti Halili.
Një gjë e tillë bëri që ekipi shkodran ta ulte disi ritmin e ndeshjes dhe kjo edhe pas 5 zëvendësimeve të kryera. Nga kjo përfituan “Beksat” që shënuan dy gola me anë të Rusit e Gjonit dhe duke i ngushtuar shifrat në 3-2.
Megjithatë në fundin e ndeshjes Anid Plangaj do të shënonte për Vllaznia “B” dhe kësisoj ajo do ta fitonte këtë takim me rezultatin 4-2. Me këtë fitore ajo është ngjitur në kuotën e 25 pikëve dhe kryeson e vetme renditjen e kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


