Gjergj KOLA
Vllaznia, barazimi në Kukës nuk kënaq askënd
Barazim 0-0 në ndeshjen e dytë të kampionatit, atë të zhvilluar në Kukës ndaj skuadrës vendase dhe pika e marrë nuk ka kënaqur askënd tek Vllaznia, për më tepër tifozët e kësaj skuadre. Jo se është keq një barazim në transfertë por ajo që ka lënë shije të hidhur ka qenë loja e dobët e skuadrës shkodrane sidomos në pjesën e dytë. Disa prej futbollistëve të saj nuk kanë shfaqur vlerat e duhura në fushë dhe për më tepër, në 45 minutat e dyta, kuqeblutë nuk kanë rrezikuar asnjëherë në portën kukësiane. Kjo është e pafalshme për një ekip që është ndërtuar për të qenë pretendent. Ndoshta për mungesën e rasteve dhe golave fajësohet reparti i sulmit por në fakt duhet fajësuar i gjithë ekipi sepse kur luan në sulm, autor goli mund të bëhet kushdo. Barazimi ndaj Kukësit ka djegur jo pak në kampin e Vllaznisë. Trajneri Duro duket se nuk po arrin ende të gjejë ilaçin e duhur për ta çuar këtë skuadër drejt fitores së parë në kampionat. Në ndeshje e parë difekte në mbrojtje por edhe në sulm ndërsa në të dytën, problemet më të mëdha i ka patur reparti ofensiv. Edhe zëvendësimet e bëra në formacion nuk sollën asnjë ndryshim në mënyrën e të luajturit përpara dhe prandaj me shumë interes pritet të shohim se çfarë do ndryshojë Vllaznia në ndeshjen e javës së tretë ndaj Luftëtarit. Paraqitja në Kukës ka dëshpëruar jo pak tifozët e kësaj skuadre që prisnin fitore nga skuadra e tyre. Fitorja jo vetëm nuk erdhi por skuadra bëri shumë pak për ta gjetur atë. Për “timonierin” e kësaj skuadre, rezultati më i drejtë i ndeshjes ka qenë barazimi. Në fakt, kush e ka parë ndeshjen nuk mendon kështu. Për Vllazninë ndoshta ishte rezultati më i mirë i mundshëm që mund të merrte. Për Kukësin jo sepse të paktën në tre momente lojtarët esaj janë penguar në rrugën drejt golit nga ana e portierit Vujadinoviç. Ky i fundit dhe mesfushori Dragoi kanë qenë më të mirët pardje në ndeshjen e dytë të kampionatit për kuqeblutë. Për trajnerin Duro pika e marrë ndaj kësaj skuadre vlen shumë sepse edhe ai ka shpenzuar shumë në merkato, ndoshta më shumë edhe se Vllaznia por në fakt, cilësia e emrave që kanë dy skuadrat në rradhët e tyre, anon dukshëm nga shkodranët. Ja pse tifozët janë të pakënaqur me barazimin e fundit. Një pikë e vetme në dy ndeshjet e para të kampionatit, nuk është një ecuri krejt e mirë për ta nisur nga fakti se ekipi konsiderohet pretendent. Interesant është edhe qëndrimi i trajnerit Duro pas kësaj ndeshje teksa i pyetur nga mediat nëse skuadra që ai drejton me këto rezultate që po arrin, a nuk është ende gati për titullin kampion, ai i është përgjigjur: “Unë asnjëherë nuk kam thënë se Vllaznia është gati për të synuar titullin kampion. Kam thënë se me punën që është bërë dhe me lojtarët që kanë ardhur në skuadër, do jemi ndër skuadrat që do pretendojnë titullin”. Këtë asnjëherë Duro nuk e ka thënë drejtëpërdrejtë por në fakt nuk e ka kundërshtuar kur në takimin me skuadrën në zyrën e kryebashkiakut- president Luka, ky i fundit “ua la topin në fushën e tyre”. Dhe Duro bashkë me futbollistët “e pranuan topin në fushën e tyre” duke premtuar se do ishin një nga ekipet më të mira të kampionatit. Tashmë natyrshëm kanë dalë vështirësitë e përshtatjes së lojtarëve të ardhur gjatë merkatos së verës dhe kjo gjë por skuadrat e tjera pretendente kanë avancuar, kanë marrë gjashtë pikë në dy ndeshjet e para të kampionatit dhe janë shkëputur në renditje. Prandaj dhe kuqeblutë duhet të ndryshojnë marsh në ndeshjet e ardhshme në mënyrë që të mos jetë vonë për pretendimet e tyre.