Pas barazimit 1-1 në miqësoren e para pak ditëve ndaj Laçit, Vllaznia më në fund gjen fitoren e parë në ndeshjet testuese të pragsezonit. Ajo ka fituar me rezultatin e thellë 4-0 ndaj inferiorëve të Kastriotit të Krujës, në ndeshjen e luajtur pasditen e së mërkurës në kompleksin sportiv “Zmijani”.

Një takim i dominuar në të gjitha drejtimet nga kuqeblutë në rradhët e të cilëve kanë debutuar edhe disa futbollistë të huaj të cilët janë në provë tek kjo skuadër. Madje dy prej tyre, kanë qenë edhe autorë golash në këtë miqësore. Bëhet fjalë për sulmuesin ganez Çarls Atsina që ka shënuar golin e parë në këtë përballje ndërsa i dyti ka patur për autor mbrojtësin boshnjak Amer Dopuvac. Me rezultatin 2-0 është mbyllur pjesa e parë e takimit. Në të dytën trajneri Cungu i ka dhënë hapësirë edhe lojtarëve të tjerë që ka patur në dispozicion dhe do të ishte pikërisht Uendi Vecaj ai që do të shënonte një gol shumë të bukur duke e çuar në tre numrin e tyre. Për të përcaktuar rezultatin përfundimtar të kësaj miqësore do të mendonte mesfushori tjetër Arsid Kruja i cili ka shënuar golin e katërt dhe të fundit. Në këtë mënyrë, kjo miqësore i ka vlejtur stafit kuqeblu për të parë gjendjen e skuadrës pikërisht një muaj para nisjes së kampionatit.Drejtuesit e Vllaznisë kanë ndër mend që të zhvillojnë edhe një tjetër ndeshje miqësore ditën e shtunë ndonëse ende nuk është përcaktuar kundërshtari.
© shkodrasport.com