Në media të ndryshme ka ditë që qarkullojnë lajme për një largim të mundshëm të sulmuesit kroat Tomislav Bushiç nga Vllaznia. Për më tepër flitet për oferta nga ana e drejtuesve të klubeve të tjera në adresë të atij shkodran për ta lënë të lirë atë. Ditën e djeshme ka patur një lajm për një kalim të mundshëm të këtij futbollisti tek Partizani dhe për këtë kalim, klubi Vllaznia gjoja ka kërkuar një dëmshpërblim prej 10 mijë eurosh. Megjithatë asgjë nuk është e vërtetë në këtë mes. Të paktën kështu ka reaguar zyrtarisht klubi shkodran përmes faqes së tij në internet. Përmes këtij reagimi, klubi i futbollit Vllaznia hedh poshtë gjithçka.
“Mendojmë se është një ëndërr e bukur e një nate dimri, por vetëm për ata që e mendojnë një gjë të tillë. Asgjë më tepër. Bushiç ka kontratë me klubin Vllaznia deri në fund të këtij sezoni dhe nuk do largohet. është e vërtetë se në ndeshjen e kupës që kemi patur në Shkodër me Partizanin, presidenti i këtij të fundit Gaz Demi i ka kërkuar administratorit të klubit tonë Fatos Gjyrezi t’ia lërë të lirë këtë futbollist për në janar, por përgjigja e marrë nuk ka qenë 10 mijë euro si dëmshpërblim por 100 mijë euro. Vetëm për këtë shifër mund ta lejonim të largohej sepse mund ta kompesonin me marrjen e lojtarëve të tjerë. Për shifra të tjera nuk bëhet fjalë dhe meqë kjo shifër për kampionatin shqiptar është e madhe, kjo do të thotë se ne duam ta mbajmë atë futbollist. Prandaj të gjitha lajmet që kanë qarkulluar mbi këtë futbollist nuk kanë asnjë bazë”- thuhet në këtë reagim të klubit. Në fakt do të ishte një budallallëk lejimi I largimit të këtij futbollisti nga skuadra kur Vllaznia për momentin nuk ka një lojtar tjetër në sulm për ta zëvendësuar dhe aq më shumë, nisur nga pozitat e skuadrës në renditje.
www.shkodrasport.com