Vllaznia tani është në pritje të ribërjes. Drejtuesit e saj në deklaratën që shpërndanë për mediat e theksuan faktin se gjithçka në këtë skuadër do të nisë nga e para. Vetëm dy ishin emrat që u cituan prej tyre se do të jenë pjesë e Vllaznisë në Superiore, pikërisht Ardit Krymi dhe Erdenis Gurishta. Ndërsa, për të tjerët klubi ka bërë të ditur se do të largohen. Megjithatë, duket se puna në klubin kuqeblu ka nisur që nga stafi teknik.

KONFIRMIMI

I pari që do të marrë miratimin për të vijuar punën me ekipin për sezonin e ri do të jetë pikërisht trajneri aktual i skuadrës, Agim Canaj. I ardhur në krye të stolit të Vllaznisë javët e fundit të sezonit që u mbyll, tekniku vlonjat kishte pranuar më parë ofertën 4-mujore të drejtuesve të klubit.

Ai u shpreh gjithmonë i gatshëm që të ishte pjesë e Vllaznisë edhe nëse nuk do të ishte pjesë e planeve për sezonin e ri. Por, nga sa mësohet nga burime pranë klubit kuqeblu, Agim Canaj do të jetë tekniku që do të drejtojë këtë skuadër edhe në Superiore. Drejtuesit, me sa mësohet, e konsiderojnë një nga emrat për të cilin është menduar edhe vazhdimësia. Së bashku me Canajn, mësohet se do të vazhdojë pranë tij edhe dyshja Safet Osja dhe Ideal Lekiqi. Të dy këta emra që ishin edhe pranë teknikut Lika në kampionatin e kaluar.

RIBËRJA
Drejtuesit e klubit mësohet se kanë startuar punën për ribërjen e skuadrës. Nga sa bëhet me dije, drejtori sportiv, turku Engin Firat, filloi që në janar interesimin për të ardhmen, duke bërë një raport me analizat përkatëse rreth lojtarëve shqiptarë që mund të ndihmojnë ekipin në Superiore. Javën e fundit mësohet se kanë filluar kontaktet me këta lojtarë. Ndërsa turku Firat ka udhëtuar për të parë nga afër lojtarë të huaj, të cilët mund të përballohen financiarisht nga ana e klubit.

Disa ditë më parë, Firat ishte në Moldavi ku ndoqi nga afër finalen e Kupës së Moldavisë mes Sherif Tiraspol dhe Sfintul. Me sa duket, pavarësisht se nuk kanë ende emra konkretë, puna ka filluar. Administratori Lici dhe drejtori sportiv, Firat, kanë tani të gjithë kohën e duhur për të ndërtuar një skuadër të denjë për Superioren. Gjithsesi, do të shihet edhe çfarë do të ndodhë me zgjedhjet vendore për të mësuar më shumë në lidhje me të ardhmen e klubit shkodran.