Te Vllaznia kanë nisur edhe lëvizjet e para të merkatos, qoftë në hyrje apo në dalje. Me klubin shkodran i kanë mbyllur llogaritë titullarë si Victor Da Silva dhe Fahrudin Gjurgjeviç, duke hapur një gropë të madhe në pjesën ofensive.
I pari erdhi te Vllaznia nga Virtus Verona dhe bëri shumë mirë gjatë kësaj kohe, duke luajtur pikërisht plot dy vite me shkodranët. Ai u bë protagonist me golat dhe assistet prej tij.
27-vjeçari arriti një formë mjaft të mirë dhe zgjoi vëmendjen e shumë klubeve. Da Silva e mbylli kontratën me Vllazninë dhe për këtë arsye shkodranët nuk kanë ndenjur duarkryq, por direkt janë futur në bisedime për ta zëvendësuar atë me futbollistë mjaft cilësorë.
Emrat nuk bëhen të ditur, por mësohet se të hënën një futbollist do të mbërrijë në Shkodër dhe do të prezantohet si lojtari i ri i Vllaznisë.
Nga sa mësohet, bëhet fjalë për një futbollist me cilësi të mira në fazën sulmuese. Megjithatë, mbetet për t’u parë çdo gjë në vijim, më konkretisht ditën e hënë.
Maringlen ZHIVANI