Vllaznia fitoi dje (0-1) në limite me një gol të Ardit Hoxhaj në të 92 minutë ndaj Kastriotit. Dueli i transfertës ka parë miqtë të rikthehen te suksesi pas pesë ndeshjesh “jo”.

Nga Kamza, kuqeblutë kanë dalë me tri pikë dhe me xhepat plot, pasi sponsori Alban Xhaferi ka akorduar plot 10 mijë dollarë për këtë fitore.

Duket se ky ishte një motiv më shumë për të besuarit e Brdaric, që me rezultatet e djeshme në Superligë kanë rimarë kreun e klasifikimit me 45 pikë.

Për Vllazninë nuk ka vetëm lajme të mira, pasi mbrojtësi dhe kapiteni Erdenis Gurishta do mungojë në sfidën e radhës, atë me Partizanin në shtëpi.

Lojtari u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 80-të, duke marrë kështu të verdhin e katërt. Mungesë me peshë për shkodranët, që në javën e 26 kanë përballjen direkte për të mbajtur kreun e klasifikimit./newsport/