
Vllaznia në volejboll për meshkuj ndryshe nga sa pritej, ka zhgënjyer në përballjen direkte me ekipin e Studentit duke e humbur atë me rezultatin e pastër 3-0. Ndeshja e zhvilluar pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, nisur edhe nga rëndësia e saj, kishte sjellë shumë tifozë dhe njëkohësisht edhe drejtues të lartë të pushtetit lokal, gjithnjë me pritshmërinë e një rezultati pozitiv për shkodranët. Por nuk ka ndodhur kështu. Vllaznia jo vetëm që nuk ka fituar por edhe nuk ka bindur me lojën që ka zhvilluar duke mos arritur të rivalizojë për asnjë moment me ekipin e Studentit. Kjo dallohet edhe në shifrat përfundimtare të seteve. Në të parin ka pak rezistencë megjithatë në fund të tij do të fiksohej rezultati 18 me 25 për miqtë të cilët treguan një nivel shumë të lartë loje në këtë takim. Ata kanë dominuar tërësisht edhe në setin e dytë, të cilin madje do ta fitonin edhe më thellë, 25 me 11. Vllaznia u duk krejt e dorëzuar. Loja e dy volejbollistëve të huaj nuk ka qenë në nivelin e pritshëm dhe po ashtu, edhe shkodranët kanë qenë në një ditë të keqe. Ata në fakt, u munduan që në setin e tretë të përmirësojnë diçka në lojë për të tentuar ndoshta edhe fitimin e tij por kjo mbeti vetëm dëshirë sepse Studenti, në rradhët e të cilit luan me shumë sukses edhe shkodrani Ditmir Rrashketa, e fitoi edhe atë, me rezultatin 25 me 18 dhe krejt ndeshjen në shifrat 3-0. Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga trajneri Ylli Tomori, ka vulosur vendin e parë ndërkohë që tashmë Vllaznia duhet të mjaftohet për momentin me vendin e dytë dhe me idenë se për ndeshjet e plej- ofit patjetër duhet të ndryshojë diçka në lojë, nëse do të synojë titullin kampion.
© shkodrasport.com
