Brenda tre ditëve, Kamza e mund dy herë Vllazninë e basketbollit të meshkujve. Pas asaj të së mërkurës në Shkodër për kampionat, e ka mundur edhe mbrëmjen e së shtunës në Durrës në ndeshjen e vlefshme për Ligën Unike.

Djemtë e drejtuar nga shkodrani Eni Llazani e kanë fituar këtë ndeshje me rezultatin 82 me 72. Fillimi i saj ishte i barabartë, por shkodranët më pas kishin një epërsi të lehtë, duke e përmbyllur çerekun e parë me rezultat 16:18.

Por vendasit rikthehen shpejt, duke barazuar rezultatin dhe për të kaluar në epërsi 29:20, e më pas edhe 37:25, që ishte më e larta në pjesën e parë, e cila përfundoi me shifrat 37:28. 10 minutësh i dytë ka qenë vërtetë për t’u harruar për kuqeblutë sepse në fakt, ai vendosi fatin e kësaj ndeshje.

Perioda e tretë ishte tërësisht e barabartë dhe u zhvillua lojë interesante, ku shkodranët ngushtuan epërsinë në 51:44, megjithatë Kamza u shkëput sërish në 59:50, sa ishte rezultati pas 30 minutash. Vllaznia nuk u dorëzua dhe u afrua sërish deri në rezultatin në 73:70, por pa arritur të bëjë më shumë dhe Kamza Basket triumfoi me rezultat 82:72.

Pas dy javësh të Ligës Unike, Kamza Basket ka dy fitore, ndërsa Vllaznia dy humbje, çka tregon se situata e saj në këtë kompeticion nuk është ajo e duhura. Në fakt, tek skuadra shkodrane vazhdojnë të vërehen ato probleme që vetë trajneri Milatoviç i ka bërë publike edhe për mediat dhe si rrjedhojë padyshim që duhet ndërhyrë për t’i rregulluar sa më parë, sepse ndryshe do të jetë shumë vonë, sidomos për pretendimet e saj në kampionat./SHKODRA-SPORT.COM/