Vllaznia në futboll për femra ka marrë një tjetër fitore të thellë në kampionat teksa pasditen e sotme ka mundur me shifrat 18-0 ekipin e Lushnjës, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës.
Një ndeshje pa histori nisur nga diferencat e mëdha në mes dy ekipeve, por ajo që duhet përmendur është se tek Vllaznia këtë herë kanë shënuar një numër i madh lojtaresh.
Kështu Teresa Deda ka shënuar 6 gola ndërsa Cartaman ka shënuar 4. Për të vijuar me Megi Doçin që këtë herë ka shënuar 2 gola, e po ashtu edhe Verona Berisha dhe Klaudia Borci kanë shënuar nga 2 gola secila. Në këtë ndeshje ka patur vend edhe për nga një gol të futbollisteve Riselba Leba dhe Aldisa Kronaj.
Me fitoren e sotme Vllaznia është ngjitur në kuotën e 36 pikëve duke kryesuar e vetme renditjen, me 12 fitore të arritura në po kaq ndeshje të luajtura dhe me golaverazhin 110-2. Në vendin e dytë është ekipi i Gramshit me 29 pikë dhe me një ndeshje më shumë të luajtur sesa ekipi shkodran.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


