✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Shumë raste të humbura, shumë vuajtje, por në fund vendos ajo, e zakonshmja Megi Doçi dhe Vllaznia e femrave merr një tjetër fitore në kampionat. Këtë herë ndaj ekipit të Teutës dhe në fund të takimit të luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” është sigluar rezultati 1-0 në favor të vendaseve.

Ndeshja është dominuar në të gjitha drejtimet nga futbollistet e Vllaznisë të cilat e vendosën shpeshherë në vështirësi ekipin kundërshtar, megjithatë pa arritur dot të shënojnë dhe si rrjedhojë në fund të pjesës së parë do të fiksohej rezultati i barabarta 0-0.

Në të dytën presioni i Vllaznisë do të rritej dhe po ashtu edhe rastet e krijuara, por lojtaret shkodrane janë ndalur nga portierja Spaho e cila me pritjet e saj shumë të bukura ia vështirësoi shumë punën kundërshtareve. Megjithatë përpjekjet e saj do të merrnin fund në minutën e 90-të.

Pas një aksioni të gjatë, topi shkon në hyrje të zonës, aty ku Megi Doçi gjuan fort tokazi dhe këtë herë topi do të përfundonte në rrjetë. Këtu do të mbyllej gjithçka dhe Vllaznia fiton 1-0 duke marrë një fitore me shumë vlerë ndaj një kundërshtari si Teuta.

Me fitoren e sotme, e shtata rradhazi në po kaq ndeshje të luajtura, Vllaznia me 21 pikë kryeson e vetme renditjen, e ndjekur nga Gramshi i vendit të dytë me 16 pikë. Javën e ardhshme do të ketë një përballje direkte në mes këtyre dy skuadrave, në kuadrin e ndeshjeve të javës së fundit të fazës së parë të kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”