Vllaznia në basketboll për meshkuj e ka humbur finalen e dytë ndaj Teutës, atë të luajtur pasditen e së mërkurës në Durrës. Në fund të këtij takimi është fiksuar rezultati 89 me 76 për vendasit të cilët në këtë mënyrë kanë barazuar në 1 me 1 ndeshjet finale ndaj shkodranëve. Takimi I luajtur në “Ramazan Njala” është ndjekur nga një numër I madh tifozësh vendas të cilët I kanë dhënë një atmosferë edhe më entuziaste atij. Në dy periodat e para ka patur rivalitet madje ka qenë Vllaznia e cila I ka mbyllur ato me tre pikë avantazh, 37 me 34. Gjithçka është përmbysur në periodën e tretë.

Tre teknikë të dhënë nga gjyqtarët njëri pas tjetrit për lojtarët kuqeblu Gjokoviç, Berdica e Faslija, kanë kthyer ndeshjen në favor të durrsakëve. Lojtarët e Vllaznisë duke parë që çdo ndërhyrje e tyre konsiderohej faull, detyrohen të lëshojnë në mbrojtje  dhe kjo ka bërë që perioda e tretë të fitohej nga Teuta me rezultatin 30 me 18, çka do të bënte që rezultati të përmbysej në favor të saj. Kjo epërsi është ruajtur edhe në periodën e katërt dhe në fund kanë qenë vendasit të cilët kanë fituar me rezultatin e përgjithshëm 89 me 76. Me këtë fitore, rezultati I ndeshjeve finale në mes Vllaznisë dhe Teutës tashmë është barazuar dhe të shtunën në orën 19.00, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të zhvillohet finalja e tretë në mes këtyre dy ekipeve. U mendua se ekipi shkodran pas fitores së parë, do të mbyllte shpejt punë sa I takon fitimit të titullit por mesa duket nuk do të ndodhë kështu. Nuk përjashtohet mundësia që ekipi kampion të përcaktohet pas ndeshjes së fundit finale, asaj të pestës që do të luhet në Shkodër.

© shkodrasport.com