Vllaznia e Laçi do të luajnë nesër në mesditë miqësoren e parë në kuadër të fazës përgatitore dimërore. Të dyja ekipet, deri më tani i kanë kushtuar rëndësi përgatitjes fizike, ndërsa nesër do të zbresin në fushën e lojës. Trajnerët Lika e Prenga do të kenë mundësi që në këtë test të shohin edhe disa nga lojtarët që kanë ardhur në provë këto ditë.

Ndërkohë, në Shkodër janë në pritje të përforcimeve. Ndërkohë që rumuni Ignat nuk po duket në stërvitje, në kampin kuqeblu i besojnë Zeqajt e Malotës në qendër për pjesën e mbetur të sezonit.

As talenti që u premtua se do të vinte nga Nigeria nuk po duket, ndaj edhe trajneri Hasan Lika e ka të përqendruar punën te skuadra që mbylli gjysmën e parë të sezonit në krye të Grupit A.

Testi me Laçin do të luhet në stadiumin e kurbinasve, pasi është gjetur akordi mes dy klubeve, ndërsa të dyja ekipet kanë në plan që deri në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, më 23 janar të luajnë edhe nga dy miqësore./vipsporti/