Vllaznia dhe Partizani po mendojnë të përforcohen para ndeshjeve të Conference League. Të dy këto klube tashmë janë në një garë dyshe së bashku për mesfushorin e Skënderbeut, Uerdi Mara.
23-vjeçari pritet të largohet nga korçarët pas rënies në Kategorinë e Parë dhe nga burime të “Shkodra Sport” pranë klubit të Vllaznisë bëjnë me dije se, Mara është një futbollist mjaft i pëlqyer nga drejtuesit kuqeblu. Ai është në listën e dëshirave, teksa për momentin ka vetëm kontakte fillestare mes palëve.
As Vllaznia dhe as Partizani nuk i kanë bërë ende një ofertë zyrtare Marës, pasi fillimisht mesfushori duhet të gjejë marrëveshjen e ndarjes me Skënderbeun. Fantazisti nga Korça njihet për elegancën dhe teknikën e tij të madhe me topin në këmbë.
Mara humbi vetëm 2 ndeshje në këtë sezon të Abissnet Superiore, pra luajti në 34 të tilla dhe dhuroi 5 assist, pa arritur të tundë rrjetën. Në vazhdim, mbetet të shihet se si do të ndodhë divorci i tij me Skënderbeun, pasi nga aq sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, ai është ende në kontratë me korçarët.
Maringlen ZHIVANI