“Elbasan Arena” do të presë nesër një ndeshje të madhe të futbollit shqiptar, Partizani-Vllaznia. Nga njëra anë, Vllaznia e kërcënuar për dështimin e objektivave, i duhet të sigurojë me patjetër një trofe, që është duke fituar Kupën e Shqipërisë, ndërsa Partizani i sotëm është larg shkëlqimit të sezoneve të tjera dhe si objektiv kryesor ka sigurimin e Europës, që ashtu si Vllaznia, mund ta sigurojë edhe ajo nga Kupa e Shqipërisë.

Në Shkodër, trajneri Elvis Plori ka futur skuadrën në idetë e tij, pas asaj humbjeje ndaj Egnatias, teksa ka ndikuar edhe pushimi dy-javor për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve dhe tani i duhet të fitojë ndeshjen përballë Partizanit, në takimin e parë të Kupës së Shqipërisë.

Nga sa është parë, Vllaznia ka fituar besim se do ia dalë dhe madje edhe tifozët që janë një faktor i rëndësishëm në ndeshjet e ekipit, do ta mbështesin nesër në transfertën ndaj Partizanit në “Elbasan Arena”.

Ish-ët e mëdhenj të sfidës, janë Herald Marku nga Partizani dhe Esin Hakaj nga Vllaznia, teksa mund të përbëjnë një kërcënim më tepër për ambiciet e ekipeve të tyre.

Si shkodranët, ashtu edhe kryeqytetasit synojnë të dalin me fitore nga kjo sfidë, megjithatë edhe barazimi mund t’i shërbente ekipit të Vllaznisë, duke pasur parasysh që ndeshja tjetër do të luhet në Shkodër, me mbështetjen e tifozëve, që janë një faktor i rëndësishëm në ndeshjet në shtëpi.

Megjithatë, në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 17:45, pritet të shikojmë një sfidë interesante dhe shumë të luftuar nga të dyja skuadrat, si nga Partizani, ashtu edhe nga Vllaznia.

Maringlen ZHIVANI