Vllaznia e re pritet të mësohet pas datës 15 qershor. Me çfarë është kuptuar, pikërisht rreth 15-ditëshit të parë të muajit qershor, është programuar për të nisur edhe organizimi i sezonit të ri futbollistik, duke nisur nga ndeshjet e Kupave të Europës.

Pas kësaj date, pritet të mësohet diçka më shumë edhe për sa i përket merkatos që do të bëhet. Çfarë futbollistësh do të afrohen dhe që do të mundësojnë ngjitjen e skuadrës, në ato nivele që është mësuar këto sezone.

Gjasat janë që të bëhet e pamundura për të pasur një Vllazni pretendente në këtë sezon, duke nisur nga një paraqitje dinjitoze në Kupat e Europës.

Është periudhë merkatoje dhe si në çdo ekip tjetër edhe te Vllaznia do të ketë ndryshime, me futbollistë që u ka përfunduar kontrata dhe presin ofertën e klubit për ta rinovuar dhe me disa të tjerë që presin të nisin aventura të reja në ekipe të tjera brenda dhe jashtë vendit.

Me konfirmimin e trajnerit Mirel Josa në krye të pankinës shkodrane, tashmë do të nisë edhe puna për ndërtimin e skuadrës së re, ku krahas plotësimit të boshllëqeve që mund të lënë largimet, do të ketë edhe afrime.
Maringlen ZHIVANI