E ardhmja e Vllaznisë është në pikëpyetje. Pas lajmeve që kanë qarkulluar për interesim të një tjetër biznesmeni italian për ta marrë atë, pikërisht të presidentit të Veronës, ai është hedhur poshtë nga drejtuesit e klubit shkodran sipas të cilëve nuk ka asnjë interesim të tillë zyrtar deri më tani. Ajo që mbetet është padyshim pasiguria për të ardhmen. Skuadra është në pritje të mbledhjes së ardhshme të Këshillit Bashkiak Shkodër që pritet të bëhet deri në fund të 10 ditëshit të parë të muajit qershor. Pikërisht prej asaj mbledhje, janë të varura shumë gjëra në klubin Vllaznia si për shembull vendi se ku do të stërvitet skuadra gjatë fazës përgatitore dhe ajo çka është më e rëndësishmja, cilët lojtarë do të ketë në përbërje për sezonin e ri.
Fondi që do të miratojë Këshilli Bashkiak në mbledhjen e fundit të tij do të vendosë pikat mbi “I” për këtë çështje. Drejtuesit e klubit ndërkohë kanë nisur bisedat me futbollistët shkodranë të cilëve u mbaron kontrata dhe duket se është arritur një akord paraprak deri më tani me futbollistë të tillë si Lika, Tafili e Shtubina. Ideja e trajnerit Zmijani është që të mbajë të gjithë lojtarët që janë aktualisht pjesë e kuqebluve dhe më pas, nisur edhe nga fondet që do jenë në dispozicion, të shihet mundësia për të marrë tre-katër lojtarë cilësorë. Deri pas mbledhjes së Këshillit, askush nuk mund të flasë me siguri për të ardhmen e Vllaznisë se çfarë ekipi do ndërtojë dhe cilat do jenë pretendimet e tij për sezonin e ri. Të paktën nga sa duket deri tani, edhe për atë që vjen, pretendimet nuk do jenë maksimale.
© shkodrasport.com