Perpara marrjes se Jurgen Mehidrit, te Vllaznia kane qene te interesuar per te marre sherbimet e nje tjeter portieri, pikerisht te Klement Boje, i cili sezonin e kaluar ka qene pjese e Tomorit. Por ganezi jo vetem qe nuk erdhi ne Shkoder, por e larguan edhe nga Berati.

Klubi i Tomorit ka vendosur të largojë nga skuadra portierin 21-vjeçar nga Gana, Klement Boje, pas mungesës së pajustifikueshme në seancat stërvitore. Por, për të shkuar deri te ky vendim, historia me Bojen është tronditëse dhe këtë e tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” trajneri i Tomorit, Klodian Arbëri. Portieri është vënë në qendër të një skandali, duke sajuar një fatkeqësi familjare.

“Kam qenë në merak për vonesën e Bojes, pasi e kisha të nevojshme prezencën e portierit titullar që ditën e parë të nisjes së përgatitje. Mirëpo, kur e telefonova, e pyes përse po vonohej kaq shumë për të ardhur në Berat dhe për t’iu bashkuar ekipit. Nga ana tjetër, Boje m’u përgjigj duke qarë: ‘Më ka ndodhur një fatkeqësi familjare. Më ka vdekur djali dhe për këtë arsye do të vonohem disa ditë’.

Ngriva dhe i përlotur e ngushëllova. Mirëpo, nuk e besoja që portieri im aktronte më mirë se një aktor profesionist. Vetëm 24 orë më pas, një miku im më telefonon dhe më thotë, se Boje ishte duke negociuar me ekipe të tjera në Shqipëri.

Me të drejtë u ndjeva shumë keq, pasi e kemi respektuar maksimalisht dhe nuk dua që futbollistët të sillen si palaço cirku apo aktor filmash. Futbollistë të tillë nuk kanë vend në skuadrën time. Në rast se Boje do të kërkojë të rikthehet te Tomori, duhet të dalë para skuadrës dhe të kërkojë ndjesë publike për këtë histori që sajoi”, ka rrëfyer për gazetën numri një i pankinës beratase.