Ekipi i Vllaznisë nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në ndeshjen e fundit kundër Partizanit. Për shkodranët ishte ndeshja e 7-të rradhazi që nuk gjetën fitoren në kampionat.

Duke bërë kështu që zona europiane të jetë disi larg për momentin. Por përveç rezultateve së fundmi, janë edhe golat ata që shqetësojnë në kampin kuqeblu.

Në 6 ndeshjet e fundit në Superligë, Vllaznia ka shënuar vetëm 2 gola. Një nga Latifi në barazimin 1-1 kundër Teutës dhe 1 nga Aralica në humbjen 1-2 kundër Kastriotit.

Një statistikë shqetësuese, pasi shihet qartë se skuadra është e varuar nga këta dy futbollistë. Kjo pasi Latifi ka shënuar 11 gola deri më tani në kampionat e ndërsa sulmuesi kroat 8 të tillë.

Pas kësaj dysheje është Da Silva që ka gjetur rrjetën 5 herë në këtë edicion. Një ndryshim me sezonin e kaluar ka edhe Ardit Hoxhaj, që për momentin numëron vetëm 3 gola në kampionat. Ndërsa nga dy gola në llogarinë e tyre kanë edhe Diagne, Jonuzi dhe Mustedanagiç. Nga 1 gol këtë sezon kanë shënuar edhe Djurdjeviç, Gurishta dhe Krymi.

Pra janë 10 futbollistët e Vllaznisë që kanë gjetur rrjetën këtë sezon. Pothuajse gjithë formacioni bazë, por skuadra duket e varur nga Latifi dhe Aralica.

E ndërsa lojtarët që vinë nga stoli në pak raste kanë bërë diferencën dhe kjo shihet edhe tek kontributi i tyre i golave që është me pikatore, siç mund të jetë rasti i Djurdjevic apo Mustedanagic.

Endri ÇINARI