Skuadra shkodrane ndjehet “e vjedhur” nga gjyqtarët. I ka ndodhur kështu edhe në ndeshjen e fundit, atë të zhvilluar ditën e djeshme në “Loro Boriçi” ndaj Flamurtarit për kupë, të mbyllur në barazim 0-0. Sulmuesi kroat ka shënuar në minutën e 92-të një gol mëse të rregullt por ai është anulluar në mënyrë të padrejtë nga gjyqtari kryesor Kreshnik Cjapi pas sinjalizimit të anësorit Ilir Tartari. Siç e kanë treguar edhe pamjet filmike apo dhe ato fotografike, pozicioni i sulmuesit të kuqebluve ka qenë mëse i rregullt në momentin e goditjes së topit para se ai të përfundonte në rrjetë.
Anullimi i këtij goli mund t’i prishë shumë punë Vllaznisë sepse mbase prej tij mund të shkaktohet eliminimi nga Kupa e Shqipërisë, çka do të kishte pasoja jo të vogla për këtë skuadër. Sot është pritur ndoshta që nga ana e klubit të kishte ndonjë reagim zyrtar për punën e gjyqtarëve por nuk ka ndodhur kështu. Drejtuesit e tij duket se kanë zgjedhur një mënyrë tjetër, atë të vënies në dijeni të Federatës për atë çfarë ka ndodhur dhe t’i kërkojë asaj marrjen e masave që të mos ndodhë më kështu në ndeshjet e ardhshme sepse pasojat mund të jenë më të mëdha.
© shkodrasport.com