Klubi shumësportësh Vllaznia nuk e njeh më si trajner të mirënjohurin Vildan Tufi. Specialisti i përgatitjes së atletëve në garat e kërcimeve, prej disa muajsh nuk është më pjesë e organikës së trajnerëve të këtij klubi. Të paktën kështu është vendosur nga bordi drejtues i tij megjithatë vetë këtij trajneri askush nuk ia komunikuar një vendim të tillë. Për rrjedhojë ai vazhdon punën çdo ditë në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” duke stërvitur sportistë si Izmir Smajlaj e të tjerë. Duke folur në lidhje me këtë çështje, Tufi për gazetën www.shkodrasport.com do të shprehej: “Diçka absurde ka ndodhur. I ashtuquajturi bord drejtues i klubit ka vendosur gjoja mosvazhdimin e pagesës ndaj ne trajnerëve që kishim mbushur moshën e pensionit. Kjo do ishte gjysma e së keqes por në Federata jam përballur edhe me dy shkresa ku thuhej se “ish- trajneri Vildan Tufi” nuk është më pjesë e klubit. në fakt mua personalisht ende nuk ma ka komunikuar një vendim të tillë zyrtarisht dhe kam vazhduar punën me sportistët por kuptohet pa të drejtën e atij shpërblimit qesharak. Nuk është e mira të veprohet kështu. Thuhet se është bërë një reformë për t’i liruar vendin trajnerëve të rinj. Ne asnjëherë nuk kemi qenë pengesë për to. Përkundrazi, duke punuar krah nesh, do merrnin përvojën e duhur. Megjithatë kjo është zgjedhja që kanë bërë. Unë kam patur mbështetjen e kryetarit të Bashkisë, z. Lorenc Luka i cili duket se mi njeh vlerat dhe prandaj kam vazhduar punën me objektivin e afërt për thyerjen e rekordit të garës së kërcimit së gjati nga Izmir Smajlaj. Kemi të bëjmë me një sportist shumë cilësor dhe jam i bindur se ky rekord që mbahet nga një tjetër shkodran, Admir Bregu, një tjetër sportist i imi kampion e rekordmen si Vera Bregu etj, do të thyhet pa kaluar shumë kohë”.
Gjergj KOLA