Vllaznia-Egnatia do jetë dueli i javës së 13-të që do zhvillohet sot në “Loro Boriçi”. Takim që vë përballë dy skuadra që kanë ambicie këtë edicion, ku shkodranët pretendojnë titullin kampion e rrogozhinasit duan zonën europiane. Prandaj në orën 16:30 pritet një duel me të vërtetë interesant në Shkodër mes dy skuadrave.

Por në krahun e Egnatias ka lojtarë dhe jo vetëm që në të shkuarën kanë qenë pjesë e kuqebluve. Kështu djemtë shkodranë si: Alen Sherri dhe Abdurrahman Fangaj këtë sezon mbrojnë ngjyrat e skuadrës nga Rrogozhina. E po ashtu Renato Malota që ka kaluar 3 sezone në Shkodër. Të tre futbollistët priten titullarë ditën e sotme.

Por nuk ka “ish-ë” vetëm në fushë, por edhe në stol edhe në tribunë. Kështu trajner i Egnatias është Shpëtim Duro, që në të shkuarën ka drejtuar edhe kuqeblutë. Ndërsa drejtor teknik i Egnatias është Ndriçim Shtubina. Ish-kapiteni i Vllaznisë për shumë edicione, ku me fanellën kuqeblu u shndërrua ndër futbollistët më të mirë të kampionatit tonë, e ndërsa sot e shohim në rolin e një drejtuesi.

Tek Vllaznia nuk asnjë pjesëtar të futbollistëve apo stafit aktual që në të shkuarën kanë qenë pjesë e Egnatias. Patjetër kjo bën që një kundërshtar i tillë të merret akoma më shumë seriozisht duke parë që ka në përbërje njerëz që e njohin shumë mirë ambientin dhe futbollin shkodran.
Endri ÇINARI