Të mërkurën përfundoi Kampionati Kombëtar i Republikës së Shqipërisë, duke shpallur Kampione për herë të 7-të brenda 8 vjetëve, skuadrën më të merituar, Skënderbeun e Korçës, e cila me këtë vazhdimësi vendosi një rekord të rrallë në historinë e futbollit shqiptar.

Rezultatet e Javës së 36-të, e fundit e Kampionatit, ku u vendos dhe rekordi i golave të shënuar për një javë: plot 20, ishin këto: KF Laçi – Teuta 4-2 KS Lushnja -Luftëtari 1-2 Skënderbeu – Vllaznia 1-5 KF Kukësi – Flamurtari 2-2 Partizani – KF Kamza 1-2

Simbas rregullores në fuqi, Kampionati përjashton prej anëtarëve të tij 20 për qind të skuadrave. Në këtë rast, KS Lushnjën dhe Vllazninë e Shkodrës, këtë të fundit mbas 57 vjetëve (1961).

Po simbas kësaj rregulloreje, – ndoshta ende në fuqi edhe për pak kohë, – në 10-shen e Kampionatit të ardhshëm 30 për qind e skuadrave do të jenë nga zona e kryeqytetit Tiranë, 20 për qind nga zona e afërt Laç-Krujë dhe vetëm 50 për qind nga sipërfaqja tjetër prej 90 për qind e krejt Shqipërisë.

Kjo gjeografi “socialiste” apo “demokratike”, quaje si të duash, më varfëruese se asnjëherë në historinë 90-vjeçare të Kampionatit të Shqipërisë, vetvetiu nënkupton, – për të mos thënë rrënimin, – rënien gjeopolitike, sociale, historike, “etnografike”, ekonomike, shpirtërore e qytetare të Kampionatit tradicional të qyteteve të Shqipërisë.

Nëse për stinën 2018-19 do të mbetet në fuqi kjo rregullore, sepse ka shumë gjasa që të mos mbesë në fuqi (ngaqë përveç FSHF-s, ka edhe shtet, apo jo?), Kampionati i Kategorisë së Dytë (ai që rrejshëm quhet “i Kategorisë së Parë’) do të ketë rastin të rivalizojë për kah historia dhe tradita me këtë të vetëm 10 skuadrave.

Themi kështu ngaqë pjesë e kësaj së “Dytës” do të mund të jenë Shkodra e Kavaja, Berati e Elbasani, Dinamo e Tiranës, Fieri e Lushnja. E tjerë, e tjerë…

Aq më tepër që pronë e këtyre janë dy stadiumet më modernë që ka Shqipëria: ai “Loro Boriçi” i Shkodrës dhe ai “Elbasan Arena” i Elbasanit,.

Nga televizione të ndryshme dhe zëra shërbestarë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ky kampionat i vetëquajtur artificialisht “Superligë”, shpesh me një guxim për t’u admiruar në të pavërtetën, është përcaktuar si “më i bukuri i 27 vjetëve të fundit”.

Me këtë rast, për t’u fiksuar në histori po u kujtojmë lexuesve tonë se cila është sot Kryesia e Federatës Shqiptare të Futbollit që drejtoi këtë kampionat “të rrallë” të 27 vjetëve të fundit:

Kështu pra, Drejtimi në fuqi i Federatës Shqiptare të Futbollit, simbas alfabetit, është ky:

President:

Armand DUKA

Anëtarë të Komitetit Ekzekutiv:

Enkel ALIBEAJ

Vasil BICI

Arben DERVISHAJ

Fatbardh JERA

Abdyl KURIU

Ervin LIBOHOVA,

Bardhyl MINXHOZI

Lutfi NURI

Edmond SPAHIU

Me siguri ky drejtim do të skalitet në këtë histori. Ndërkohë, duke filluar nga numrat e ardhshëm, autori i këtushëm do të nisë ciklin e shkrimeve të tij me temën: “Prej kujt dhe si ra Kampionati Kombëtar i Futbollit të Republikës së Shqipërisë”.

*Botuar ne gazeten “Panorama Sport”