Opinion nga Senad NIKSHIQI
Menduam se “ëndërra” e keqe mori fund dhe se Vllaznia do ishte një tjetër. Nuk ndodhi ashtu. Kuqeblutë zhvilluan një 90-minutësh tejet të dobët e zhgënjyes. Të mendosh se përballë ishte Kukësi, një ekip debutues dhe i ndërtuar tërësisht në merkaton e verës, keqardhja është edhe më e madhe për shkodranët. Me kureshtje kemi pritur orën 17:00 të së shtunës me mendimin se tashmë të besuarit e Duros do vinin ndryshe. 3 zëvendësime pikërisht në pikat më të dobëta që u vërejtën në sfidën me Skënderbeun. Në skuadër janë Belisha, Shtubina e Semina, lojtarë që janë rritur aty dhe e njohin mirë këtë ekip. Aktivizimi i tyre te Vllaznia nuk ishte diçka e re. Asgjë nuk ndryshoi. Një Vllazni e vakët që nuk prodhon fare lojë. Ekipi nuk lidhet mes reparteve gjë e cila sjell atë dështim. Nuk më shqetëson barazimi pa gola në Kukës sepse fundja luhet në fushë kundërshtare dhe pranohet edhe një pikë sesa ajo lojë e pakuptimtë e Vllaznisë. 11 futbollistë të çakorduar që nuk dinin nga shkonin e çfarë kërkonin. Nga ana tjetër një Kukës racional, i vendosur mirë në fushë dhe për 45 minutat e para strategu Cungu më shumë duket studion kuqeblutë edhe pse e njeh këtë ekip më mirë se askush për ta lënë shpërthimin e ekipit të tij në pjesën e dytë. Në fakt pritëm të kundërtën në fraksionin e dytë të lojës. Pritëm të ishte Vllaznia ajo që do ndryshonte stil loje dhe do gjente golin sepse edhe Kukësi më shumë ishte përqëndruar në mesin e fushës dhe vëmendje e madhe në mbrojtje. Nis pjesa e dytë. Vendasit mbajnë ritmin e lojës. Avancojnë më shumë drejt mbrojtjes kuqeblu. Tentojnë dhe arrijnë ta thyejnë mbrojtjen, jo njëherë por disa herë. Këtë herë është Vujadinoviç që merr përsipër rolin e heroit duke ndalur çdo goditje te kuksianëve. Skuadra e Cungut merr më shumë zemër dhe ndjen se mund të marrë një fitore. Kukësi afrohet edhe më shumë zonës por sërish gjen një super Vujadinoviç që i dhuron kuqebluve pikën e parë këtë sezon të ri futbollistik. Nga ana tjetër Duro mendon të freskojë të tijët dhe bën 3 zëvendësimet e mundshme që në vend të rigjallëronin lojën e Vllaznisë, ndodh e kundërta. Bie edhe më shumë tempi i miqve nga Shkodra. Mesfusha thuajse nuk funksionon fare dhe këtë e ndjen edhe sulmi që nuk ka topat e duhur në të njëjtën kohë mbrojtja ndjehet më e kërcënuara e porta është shënjestër e herpashershme e vendasve. Ndeshja mbyllet në barazim me një Vllazni që i përulet treshes simpatike të trajnerëve Armando Cungu, Esat Rakiqi e Avenir Dani e po ashtu edhe ish-futbollistëve të saj si Hallaçi apo Alikaj. Kuqeblutë pas dy ndeshjesh kanë vetëm një pikë. Një skuadër që është shumë larg pretendimeve qoftë me lojë ashtu edhe me rezultate. Ne skeptikët e paktë duket se paskemi pasur të drejtë që kjo Vllazni e sotme më shumë se asgjë ka pompozitetin që vjen nga nostalgjia e emrave të cilët janë në përbërje të saj. Shkodranët duhet të kenë kujdes sepse këtë sezon nga Superliga zbresin katër ekipe. Duhet t’i bëjnë mirë llogaritë sepse po shohim që ekipe si Kastrioti Laçi, Bylis, Besa apo Tomorri nuk do të lëshojnë lehtë, përkundrazi janë të përgatitur më shumë se asnjëherë. Duket qartë që duhet një punë shumë më e madhe të paktën për të zënë një vend që të çon në Kupat e Europës. Titulli Kampion është nga ato misionet e pamundura. Shihet qartë që do ndahet mes Tiranës, Skënderbeut, Teutës apo Flamurtarit.