
Klubi Vllaznia merr masat për nisjen e stërvitjes dhe plotësimin e kushteve të nevojshme stafit drejtues dhe futbollistëve për përgatitjet e sezonit të ri. Kështu, krahas punës për plotësimin e skuadrës me lojtarët e duhur, po mendohet edhe për vendin se ku do të zhvillohet përgatitore. Pikërisht për këtë arsye, ata kanë disa ditë që janë lidhur me agjentë të ndryshëm për të parë mundësinë më të mirë të vendit se ku mund të sistemohen për një periudhë 2-3 javore. Dhe ideja më e mundshme, madje duket e konkretizuar tashmë kjo gjë, është ajo e Zllatiborit në Serbi. Ky emër dhe ky kamping nuk është I panjohur për shkodranët. Ata kanë qenë aty edhe dy vjet më parë pikërisht atëherë kur ekipi drejtohet nga trajneri malazez Mojash Radonjiç. Kushtet e akomodimit dhe të stërvitjes janë shumë të mira, madje që nga periudha para dy vitesh dhe deri më sot, thuhet të jenë përmirësuar edhe më shumë. Nga sa bëhet e ditur, Vllaznia mund të udhëtojë drejt Serbisë pikërisht në javën e fundit të korrikut dhe do të qëndrojë në Zllatibor deri në gjysmën e gushtit. Gjatë kësaj periudhe, organizatorët marrin përsipër edhe zhvillimin e disa ndeshjeve miqësore. Madje, thuhet se kundërshtarët e Vllaznisë mund të jenë ekipet më të mira të Rajonit, pikërisht ato që zgjedhin këtë kamping për t’u stërvitur. Por jo vetëm ekipe të Rajonit. Në të do jenë për përgatitje edhe ekipe hollandeze dhe të tjera. Pikërisht, këto gjëra, I kanë shtyrë drejtuesit e Vllaznisë të mendojnë se Zllatibori është zgjedhja ideale për përgatitjen e tyre këtë verë. Trajneri Duro nuk ka qenë kundër kësaj zgjedhje por vetëm ai ka kërkuar këto gjëra: kushte të mira akomodimi, stërvitje dhe kundërshtarë për ndeshjet miqësore. Këto kërkesa do I plotësohen atij dhe prandaj skuadra shkodrane do vendoset në këtë kamping serb në fund të muajit të ardhshëm. Nga sa bëhet e ditur, kampingu I Zllatiborit është një nga më të rëndësishmit e këtij vendi dhe jo më kot, ai së fundi është marrë nën administrimin e Federatës Serbe të Futbollit. Vllaznia ndërkohë para se të niset për Zllatibor, do të nisë stërvitjen me shumë mundësi më datë 8 korrik. Në fakt ishte menduar për ta nisur më datë 15 ngaqë parashikimet ishin për nisjen e kampionatit më 1 shtator por meqë ky I fundit do startojë më 25 gusht, edhe nisja e stërvitjeve është afruar një javë. Ajo që mbetet për t’u parë është se cilët futbollistë do jenë në dispozicion të trajnerit Duro ditën e parë të stërvitjes. Trajneri kryeqytetas ka kërkuar që të ketë në dispozicion 80 për qind të skuadrës atë ditë dhe në fakt gjërat për momentin nuk duken ashtu siç duhet. Sot mund të firmosin Deliç dhe Begaj por këto dy futbollistë janë vetëm ¼ e kërkesës që ka trajneri. Se çfarë do ndodhë në ditët e ardhshme, kjo mbetet për t’u parë. Ajo çfarë po konstatohet në merkaton e kuqebluve është pikërisht mungesa e alternativave në mbrojtje dhe në sulm. Megjithatë deri në momentin e nisjes së skuadrës për në Zllatibor, shumë gjëra duket se do shkojnë në vendin e vet. Kampingu serb në fakt ka lënë një shije të hidhur për Vllazninë në një drejtim: Rezultatet negative që skuadra shkodrane ka arritur në ndeshjet miqësore që ajo ka zhvilluar atje, rezultate këto që u reflektuan në një ecuri jot ë mirë të skuadrës në nisjen e kampionatit. Që do të thotë se përgatitorja e Zllatiborit është një barometër I mirë për të parë gjendjen e skuadrës në prag të nisjes së kampionatit.
Gjergj KOLA