
Tre ditë para afatit përfundimtar të mbylljes të merkatos së dimrit, tek Vllaznia ka lëvizje. Ndodh kështu pikërisht pas ankesave të trajnerit Cungu i cili ka shprehur herëpashere pakënaqësinë e tij për mosndërhyrje në merkato, madje edhe dje pas ndeshjes me Kukësin, ka deklaruar se kanë ikur Krishtilindjet dhe Viti i Ri dhe prandaj nuk priten më dhurata. Por në fakt, drejtuesit e klubit kanë bërë lëvizje intensive orët e fundit dhe pritet t’i japin dy dhurata trajnerit të tyre. Njëra është e zyrtarizuar. Mbrojtësi belg Landri Mulemo paraditen e sotme ka hedhur firmë në kontratë dhe është zyrtarisht futbollist i Vllaznisë deri në fund të këtij sezoni. Nga ana tjetër, kuqeblutë i janë rikthyer edhe njëherë pistës “Bakaj” që u konsiderua e mbyllur. Pamundësia për të firmosur me Tiranën, ka bërë që drejtuesit shkodranë të ndërmarrin edhe njëherë inisiativën për ta veshur kuqeblu dhe bisedimet duken në rrugë të mbarë. Vetë lojtari nga kryeqyteti është shprehur orët e fundit se ka mbyllur gjithçka me Vllazninë por vetë klubi nuk ka dashur ta zyrtarizojë këtë gjë. Burime pranë tij bëjnë të ditur se akordi duket shumë pranë megjithatë, duhet pritur dita e nesërme ose maksimumi e hëna për të konsideruar të përfunduar këtë marrëveshje pasi të firmoset kontrata mes palëve. Me Bakajn dhe Mulemon kuptohet që mund të kemi një skuadër më ndryshe për gjysmën e dytë të sezonit dhe padyshim që edhe në Kupën e Shqipërisë tashmë do ketë më shumë objektiva dhe jo thjesht për të kaluar në gjysmëfinale. Nisur nga lëvizjet e fundit në merkato të kuqebluve, nuk përjashtohet mundësia që deri më 31 janar, pse jo të mos ketë edhe ndonjë lëvizje tjetër të tyre por gjithsesi, për momentin vëmendja është e përqendruar tek zyrtarizimi i Elis Bakajt.
© shkodrasport.com