Skuadra shkodrane arrin edhe fitoren e dytë në po kaq ndeshje miqësore të zhvilluara në përgatitoren malazeze. Këtë herë përballë saj ka qenë ekipi i Superligës së këtij vendi, Jedinstvo e Bjellopoljes dhe në fund të takimit është fiksuar rezultati 1-0 në favor të Vllaznisë. Autor i të vetmit gol të ndeshjes mësohet të ketë qenë një mesfushor serb i ardhur për provë.
Ai është aktivizuar në pjesën e dytë të ndeshjes dhe menjëherë ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Takimi i sotëm ka qenë me interes edhe për të parë formën e sulmuesit serb Alen Melunoviç i cili është në provë prej disa ditësh megjithatë ai ka qenë i pafat sot. Vetëm pak minuta lojë dhe 26 vjeçari është dëmtuar duke u detyruar të zëvendësohet.Kjo ka bërë që stafi teknik të mos e ndajë mendjen për ta mbajtur apo jo dhe ndoshta do t’i duhen edhe disa ditë për të vendosur. Sa i takon miqësores së sotme, duhet thënë se kuqeblutë përgjithësisht kanë luajtur mirë, ndonëse kundërshtari i tyre është më në formë ngaqë kampionati malazez ka nisur prej dy javësh ndërkohë që Vllaznia ende nuk e ka kapur formën e saj më të mirë. Gjithsesi në fushën e lojës, nuk janë vërejtur diferenca në këtë drejtim. Në pjesën e parë trajneri Cungu ka aktivizuar formacionin e tij më të mirë por ky 45 minutësh është mbyllur në barazim 0-0. Në pjesën e dytë u ka ardhur rradha për të luajtur edhe futbollistëve të tjerë dhe pikërisht njëri prej tyre, një mesfushor serb i ardhur për provë, ka arritur të shënojë golin e vetëm të ndeshjes që i ka dhënë fitoren skuadrës shkodrane. Ajo në këtë mënyrë pas fitores 3-0 ndaj FK Brskovo në takimin e parë, fiton edhe një tjetër miqësore ndërkohë që para se të kthehet në Shqipëri pritet të luajë edhe një apo dy takime të tjera me skuadra vendase.
© shkodrasport.com