Vllaznia në futsall do të luajë mbrëmjen e sotme gjysëmfinalen e dytë me Tiranën. Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Bujar Celufaj do të zhvillojnë mbrëmjen e sotme ndeshjen e kthimit, duke nisur nga ora 21:00 në “Qazim Dervishi” dhe padyshim që besojnë në përmbysjen e rezultatit.

Realisht, ekipi i trajnerit Celufaj ka qenë një nga skuadrat më simpatike të këtij sezoni për kampionatin e futsallës, teksa edhe pse ka qenë një skuadër debutuese, kanë treguar lojëra të bukura dhe rezultate pozitive përballë rivalëve. Padyshim që, e njëjta gjë do të synohet edhe mbrëmjen e sotme ndaj Tiranës në gjysëmfinalen e dytë.

Në fakt në javët e fundit, kuqeblutë kaluan disa probleme jo të vogla, qoftë në largimin e disa futbollistëve, por edhe me dëmtimet e disa titullarëve. Një gjë e tillë mund të ndikojë edhe në objektivin e Vllaznisë, që ka qenë dhe është akoma fitimi i titullit kampion.

Megjithatë, për të realizuar këtë objektiv, Vllaznisë i duhet të kalojë Tiranën, ku shorti e ka vendosur të ballafaqohet në gjysëmfinale. Sfida e parë e luajtur në transfertë ka folur për bardheblutë e kryeqytetit, të cilët e kanë fituar këtë ndeshje me rezultatin e thellë 7-1.

Ajo që duhet theksuar është se në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të Tiranës, Vllaznia është shoqëruar me mungesa të shumta, aq sa në kontigjentin e trajnerit Bujar Celufaj kanë qenë vetëm pesë futbollistë. Ndërkohë, në ndeshjen e sotme normalisht që pritet të jetë një panoramë krejtësisht tjetër.

Për ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet mbrëmjen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, duke filluar nga ora 21:00, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Bujar Celufaj është përgatitur seriozisht për të përmbysur rezultatin ndaj Tiranës dhe më pas për të kërkuar kualifikimin në finale, duke pasur objektiv fitimin e titullit kampion.

Megjithatë, për ta arritur një gjë të tillë, Vllaznia e futsallës kërkon edhe mbështetjen e tifozëve shkodranë, duke i ftuar ato që të jenë të shumtë në numër në përballjen e sotme ndaj Tiranës.
Maringlen ZHIVANI