Kastriot Rexha pritet të jetë blerja e 11-të e Vllaznisë në merkaton e kësaj vere. Sulmuesi kosovar pasi ka ndihmuar ekipin Trepça ’89 në fitimin e Superkupës së Kosovës ditën e shtunë në përballjen me Prishtinën, është kthyer dje sërish në Shkodër. Ai ka marrë një telefonatë nga drejtuesit e klubit kuqeblu për t’u rikthyer dhe për të biseduar sërish. Këtë herë mesa duket për detajet e kontratës. Paraditen e djeshme, sulmuesi shtatëlartë është bashkuar në Pejë me mesfushorin Ilir Nallbani edhe ky pjesë e Vllaznisë dhe të dy sëbashku kanë marrë rrugën drejt Shqipërisë. Kanë kaluar pikën doganore të Morinës dhe kanë marrë rrugën për në Shkodër. Pas ndeshjes që kuqeblutë zhvilluan pasditen e së shtunës në Lezhë ndaj Besëlidhjes, drejtori sportiv i Vllaznisë Armir Grima i ka thënë Nallbanit për të kontaktuar me Rexhën dhe për t’i thënë që të hënën të paraqitet në klub. Ai ka vepruar në këtë mënyrë dhe dje ka mbërritur. Bisedimet me një nga drejtuesit më të lartë të klubit janë lënë për mbrëmë në orët  e vona dhe ende nuk bëhen të ditura detajet megjithatë, burime pranë klubit thonë se për golashënuesin e dytë më të mirë të kampionatit kosovar, kontrata është gati. S’ka shumë qartësi nëse me të do firmoset për një apo dy vite por firmosja e saj duket punë e kryer. Themi kështu ngaqë edhe pretendimet financiare të lojtarit nuk duken shumë të mëdha dhe prandaj janë të përballueshme nga ana e Vllaznisë.
Lojtari. Dëshira e tij ka qenë prej kohësh për të luajtur në kampionatin shqiptar, i cili është një mundësi e mirë për t’u afirmuar në mënyrë që më vonë pastaj të kalojë në një ekip tjetër në Europë. Kastriot Rexha prej dy-tre sezonesh spikat për lojën dhe golat e tij. Në kampionatin e fundit ka shënuar 18 gola duke u renditur i dyti pas Zhdrellës. Menjëherë pas mbylljes së kampionatit, ai u kontaktua fillimisht nga drejtuesit e Kukësit. Ai u ul në bisedime me to por nuk u bind shumë nga projekti i këtij klubi. Fakti që ishte një klub i sapongjitur në Superligë, ia ka zbehur dëshirën shtatëlartit nga Prishtina për të hedhur firmë në kontratë. Pas kësaj, ai tentoi të kalonte tek Besa por edhe aty, nuk ia doli dot. Sipas vetë Rexhës, marrëveshja me presidentin Bizhdili ishte në prag të firmosjes por nuk dihet pse numri 1 i klubit ndryshoi mendje. Si rrjedhojë, me t’i ardhur një ftesë nga Vllaznia, Kastriot Rexha ka vrapuar për në Shkodër. I sugjeruar nga një bashkëlojtar i tij tek ekipi Trepça ’89 si Ilir Nallbani, ai nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të luajtur me këtë skuadër, një nga më të njohurat dhe të dashurat për kosovarët. Tashmë duket se po ia arrin kësaj gjëje dhe prandaj ndjehet i lumtur.
Klubi. Vllaznia është vënë prej kohësh në kërkim të një sulmuesi cilësor. Ka tentuar shumë, që nga Pejiç e me rradhë dhe në fund duket se mund të përfundojë tek Rexha. Në fakt në stërvitjen e djeshme të kuqebluve ka qenë i pranishëm edhe sulmuesi gjeorgjian Madsuradse. Po ashtu flitet edhe për kroatin Vruçina megjithatë drejtuesit e klubit shkodran duket se kanë vendosur t’i besojnë sulmuesit kosovar. Mosha e re, dëshira e madhe për t’u afirmuar, janë tregues të mirë për një kontratë shumë të favorshme me këtë futbollist. Për rrjedhojë sot pritet firma me të.
Gjergj KOLA