Në kampin shkodran, zhbllokimi i sulmuesve kryesorë të ekipit është një lajm i mirë. Aralica dhe Ardit Hoxhaj me dy gola ishin protagonistët e vërtetë të sfidës delikate me Kastriotin dhe tashmë fokusi është i gjithi drejt duelit të datës 27 kundër Laçit për startin e xhiros së dytë të Superiores. Është pikërisht sulmuesi vlonjat që me dy golat e parë këtë sezon ka dhënë sinjale pozitive për Thomas Brdariç, të cilit i ka munguar pikërisht finalizimi i lojtarit që sezonin e kaluar e mbylli me 12 gola.
45-vjeçari u shpreh i lumtur për zhbllokimin e lojtarit të tij nga i cili pret golat që mund të bëjnë diferencën në ndeshjet vendimtare të sezonit. Vllaznia është fuqia e dytë e kampionatit përsa i përket forcës sulmuese me 17 realizime në 9 javë dhe ekujlibri e vazhdimësia në fazën e avancuar mund ta transformojnë në një rrezik për Tiranën këtë skuadër që duket se po has ende probleme për të gjetur asetin e duhur mes mbrojtjes, mesfushës e sulmit, kjo edhe për shkak të ndryshimeve të mëdha që klubi bëri në merkaton e verës.
Tashmë, vëmendja shkon te Laçi, një rival aspak komod për shkodranët gjatë viteve të fundit edhe pse debutimi sezonal në fushën kurbinase rezultoi një festë golash për kuqeblutë. Trajneri Brdariç e di mirë që kjo do të jetë një sfidë ndryshe dhe një gjë të tillë e paralajmëron vetë gjermano-kroati.
“Çdo ndeshje është e ndryshme, ka historinë e saj. Kemi kohën e duhur në dispozicion për të bërë një analizë të gjerë për të shkuar të freskët drejt ndeshjes tjetër. Gjatë gjithë kësaj kohe duhet të stërvitemi mirë”.
13 pikë pas 9 javëve të para janë shmë pak për një suadër të projektuar për të mbrojtur minimalisht pozitat në vendin e dytë si nënkampione por Vllaznia e pjesës tjetër të sezonit premton shkëndija.