Në Shkodër duket të kenë mbaruar punë me spastrimet dhe tashmë, skuadra po fokusohet vetëm te futbollistët e fundit që do të marrë. Burime të “Shkodra Sport” pohojnë se afrimet e fundit do të vijnë nga jashtë kampionatit shqiptar, kryesisht me futbollistë që militojnë në ekipet e rajonit, si ai i Maqedonisë së Veriut apo edhe Kosovës, pa përjashtuar këtu edhe mundësinë e ndonjë afrimi nga kampionati shqiptar.
Në fakt, bëhet fjalë për futbollistë të rinj dhe me perspektivë që e shohin kampionatin shqiptar edhe si një mundësi për të treguar potencialin e tyre. Vllaznia ka hequr dorë njëherë e mirë nga shpenzimet e tepërta dhe pritet që të shikohet që këtë kampionat, me mungesën e “yjeve” dhe futbollistëve të shtrenjtë.
Nga ana tjetër, sytë janë hedhur edhe nga të rinjtë e klubit, të cilëve edhe gjatë sezonit që sapo lamë pas, iu dha mundësia që të tregonin veten e tyre, pasi u aktivizuan nga trajnerët Josa, Miloti dhe Sedloski.
Shumë nga futbollistët që sezonin e kaluar ishin pjesë e 21-vjeçarëve do të gradohen në ekipin e parë dhe do të gërshetohen me pjesën e atyre që kanë mbetur dhe atyre të tjerëve që do të vijnë nga merkatoja. Në këtë mënyrë, Vllaznia këtë sezon mesa duket nuk do të ketë pretendime të mëdha.
Maringlen ZHIVANI