Pas problemeve të krijuara ditët e fundit, situata tek Vllaznia ka nisur të normalizohet. Pasditen e së premtes ekipi I është rikthyer normalitetit të tij duke zhvilluar seancën e rradhës në fushën e Shtojit.

Por ajo që ka rënë në sy ka qenë mungesa e trajnerit Agim Canaj. Kjo mund të krijojë iluzione të ndryshme por nga sa bëhet e ditur, ai ka kërkuar leje nga drejtuesit e klubit sepse ka udhëtuar jashtë Shqipërisë për disa arsye familjare.

Megjithatë nga dita e hënë Canaj do të jetë në krye të ekipit për të vijuar punën me të dhe për të nisur përgatitjet për ndeshjen me Erzenin që do të luhet fundjavën e ardhshme. Një ditë më parë, klubi shkodran përmes një deklarate për mediat bënte të ditur se po e shqyrtonte me përgjegjësinë e duhur situatën e krijuar dhe shpejt do të kishte një vendimmarje.

Njëkohësisht, u konfirmua vazhdimi I punës I stafit. Edhe drejtori teknik Firat është shprehur në media se sapo të kthehet në Shqipëri do të ketë një takim me kryebashkiaken dhe do të sqarohen shumë gjëra në lidhje me këto problemet e krijuara tashmë tek Vllaznia.

Ideja është për të ndërhyhet njëherë e mirë në mënyrë që veprime të tilla të mos përsëriten më. Situata në kampin shkodran nuk ka qenë e qetë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe për fatin e mirë, kjo nuk është reflektuar në rezultatet e skuadrës e cila është në prag të realizimit të objektivit, ngjitjes në Superligë.
© shkodrasport.com