Dinamo ishte një nga ato ekipe që u “pompua” shumë nga media në fillim të kampionatit. Të gjithë i cilësuan blutë që riktheheshin në Superligë pas 10 vitesh mungesë si pretendentë. Ndoshta jo për titull, por të paktën që të zinin një vend për një kualifikim në kupat e Europës.
Ky “parashikim” në letër vinte si pasojë e merkatos “bombastike” që kishin zhvilluar kryeqytetasit. Duke afruar emra shumë të njohur të futbollit tonë, “nëndetësja” ndryshoi totalisht skuadrën që e ngjiti nga Kategoria e Parë në atë Superiore. Të besuarit e Shkëmbit e nisën mirë kampionatin, por tashmë skuadra është në një krizë totale.
Kjo krizë konfirmohet nga humbja dje kundër Laçit në shifrat e thella 5-0. Por të rikthehemi para pak muajsh, ose më saktë më datë 18.10.2021. Dinamo vizitonte Shkodrën , ku vinte me pretendime të larta kundër Vllaznisë. Epo, nuk iu shkoi sipas parashikimeve sepse u mundën në shifrat tenistike 6-3.
Që aty filloi edhe luhatja e Dinamos, ku kuqeblutë duket se ishin iniciatorët e krizës së kryeqytetasve. Më pas për Dinamon do pasonte një disfatë e rëndë 4-0 kundër Tiranës e po ashtu ajo dje në shifrat 5-0 përballë Laçit. Në total blutë kanë pësuar 19 gola deri më tani në kampionat.
Duke qenë në këtë mënyrë mbrojtja më e dobët e Superligës deri në këto momente. Duket se parashikimet e të gjithë specialistëve janë “hedhur në erë” dhe Dinamo nuk është aq e fortë në fushë sa dukej në letër para fillimit të kampionatit.
Endri ÇINARI