Opinion nga Gjergj STEFA
Qendra e veriut të Shqipërisë, një ndër qytetet më të rëndësishme në vend, Shkodra, ka qenë sistematikisht një ambient i mbartur me përjetime të forta politike dhe sportive. Historikisht të djathtë dhe tifozë futbolli të betuar me klubin Vllaznia, shkodranët i kanë pasur gjithnjë në zemrat e tyre “ngjyrat blu” të politikës dhe ca më shumë “kuqeblu” të simboleve të skuadrës së futbollit.
Sot shkodranët e kanë parë veten befas në një duel batutash politike që kanë të bëjnë pikërisht me futbollin. Bluja dhe kuqebluja janë dy dashuri të mëdha të këtij qyteti, por fatmirësisht në të shkuarën asnjëherë dashuritë nuk ishin mpleksur dhe aq më shumë nuk kishin debatuar. Çfarë po ndodh? “Lojën” e ka hapur padyshim Agron Çela. Kandidati numër një i LSI-së në qark është tanimë dhe presidenti i klubit dhe ka të drejtë administrative pas marrëveshjes që bëri disa muaj më parë me krerët e Bashkisë. Për hir të së vërtetës, Vllaznia në këto muaj ka bërë mirë nga ana sportive, ka dështuar së bëri shumë mirë – qëndroi në të njëjtat parametra pikësh dhge pozicioni si muajt e parë të sezonit – dhe nga ana politike është e vështirë disi ta akuzosh. Në asnjë moment nuk e përdori klubin për politikë, përveç disa ndeshjeve nëpër fshatra dhe disa prezencave të rinisë së forcës së tij politike në stadium. “Shfaqja” mungoi. Nuk u bë përçapje për të shkuar në Europë dhe nuk u blenë lojtarë në këtë merkato për të bindur disi tifozët se vota mund të jepet dhe për sportin. Çela mendon se fushata dhe klubi nuk kanë lidhje dhe është i bindur që votat e tij nuk varen nga ecuria e Vllaznië. Në këtë situatë, t’i thuash Çelës “Po bën fushatë me Vllazninë” është pa sens, por t’i thuash që “e ke mendjen te fushata dhe jo te Vllaznia”, kjo përbën sens. Çela mund të mos marrë asnjë votë edhe nëse ndërton një skuadër yjesh. Ashtu sikundër mund të marrë të gjitha votat dhe nëse Vllaznia bie një kategori më poshtë, por tifozi i thjeshtë, ai që don ngjyrat kuqeblu, nuk do t’ia dijë për fushatën. Ka 13 vite që pret, dhe fakti që klubi nuk po përzihet me fushatën, nuk do të thotë se ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë më të mirën e mundshme.
Në mes të këtij raporti mes tifozit dhe klubit, ku mbizotëron skepticizmi, futet forca e djathtë dhe rigjeneron disi të dashuruarit e ngjyrës blu dhe ata që nuk besojnë me te klubi aktual. Topalli premton stadium – e kush e beson! – ndërsa Berisha bën turin e batutave me Vllazninë, duke premtuar madje dhe “shkarkime” presidentësh. Gjërat në ndjesinë e tifozëve janë komplikuar sepse vërtet shumica e Shkodrës është blu, por bluja politike nuk iu ka sjellë asnjë benefit sportiv. Investimet e vetme janë bërë si pasojë e dashamirësisë së ish-presidentit Myftar Çela, ndërkohë që Bashkia e djathtë përveçse ndonjë investimi në “cash” shumë pak ka bërë në këtë drejtim. E njëjta turmë blu e zhgënjyer nga politika e djathtë, por që don Vllazninë, nuk po gjen kredibilitet as te krerët aktualë të klubit, dhe në këtë “pingpong politik” nuk dinë ku dhe kë të besojnë?!
Në një vend ku të shkëputesh mendësisht nga politika është e pamundur faktet janë kokëforta dhe të qarta, pavarësisht ngjyrës së politikave apo batutave. Politika mund të ndikojë në zhvillimin e klubit – shiko së fundmi rastet e Skënderbeut dhe Kukësit – por atje në Shkodër dëshira ka munguar gjithnjë. Nëse gjërat vazhdojnë kshtu, pas 23 qershorit nuk do të ndryshojë asgjë. Për të ndërtuar një klub elitar duhet që shteti të investojë në ifrastrukturë dhe biznesi të afrohet duke shpenzuar e duke grumbulluar lojtarët më të mirë në vend. Për momentin nuk është as njëra as tjetra. Ndërkohë, premtohet një superekip dhe një superstadium. A duhen besuar?!